SYRI TV/ Qeveria mban sekret transaksionet e Thesarit, asnjë raportim prej tre javësh
Qeveria shqiptare ka mbajtur të fshehta për mbi tre javë transaksionet e Thesarit, pasi raportimi i fundit është bërë më 28 shkurt 2026. Ministria e Financave nuk ka dhënë shpjegime, por dyshohet se shkaku lidhet me probleme serioze në sistemin informatik. Këto vështirësi janë pjesë e një situate më të gjerë me ndërprerje të sistemeve online shtetërore, duke krijuar pengesa në aktivitetin ekonomik dhe administrativ.
Qeveria shqiptare mban për më shumë se tre javë sekret transaksionet e Thesarit. Në një vëzhgim të kryer nga ‘Syri TV”, rezulton se pagesat e kryera nga institucionet buxhetore janë raportuar për herë të fundit në 28 shkurt 2026. Raportimi i transaksioneve të Thesarit është një ndër kushtet thelbësore për transparencën e institucioneve publike. Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë arsye publike për këtë situatë, ndërkohë që besohet se kjo vjen për shkak të problemeve të theksuara me sistemin informatik të institucionit.
Platforma elektronike e Ministrisë ka një rëndësi specifike për aktivitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Por, Sistemi Informatik i Financave, prej shumë javësh, është shoqëruar me problematika të theksuara. Më herët, Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi kompanitë private që të pajiseshin me një numër manual, për shkak të bllokimeve të herë pas hershme të sistemit të Ministrisë së Financave.
Situata me platformën elektronike të Thesarit pason problematika me sisteme të institucioneve të tjera, ndërkohë që kryeministri Edi Rama mburret me Shtetin e tij Dixhital. Gjatë muajve të fundit, sistemet on-line të strukturave, si Qendra Kombëtare e Biznesit apo Agjencia e Prokurimeve Publike kanë pësuar shkëputje të vazhdueshme, duke krijuar vështirësi të mëdha në operimin e aplikimeve dhe kontratave të ndryshme.