'Dy dashuri dhe një veshkë', tragjikomedia që ngjitet në skenën e Pogradecit

Komedia “Dy dashuri dhe një veshkë” është ngjitur në skenën e Qendrës Kulturore të Pogradecit, duke sjellë për publikun një histori sa prekëse aq edhe plot humor.

Nën regjinë e Guri Koços dhe me interpretimin e një kasti aktorësh të njohur, shfaqja ndërthur elementë të komikes dhe tragjikes së përditshmërisë.Vepra trajton historinë e dy personazheve që, ndonëse jetojnë në kushte të vështira ekonomike, mbeten të pasur në shpirt dhe të lidhur fort me njëri-tjetrin. Përmes situatave plot humor dhe reflektimi, ajo përcjell një mesazh të fortë mbi vlerën e miqësisë dhe solidaritetit njerëzor.

Guri Koço, regjisor dhe aktor, shprehet se komedia nuk ka humor të zi, por një ndërthurje të jashtëzakonshme midis tragjikes dhe komikes, ku kufiri mes këtyre gjinive është kaq i hollë sa ndonjëherë njerëzit ngatërrohen. Ai tregon se ekipi ka punuar me shumë dëshirë për rreth dy muaj dhe se shfaqja ka në qendër himnin e miqësisë. Sipas Koços, nuk është pasuria ajo që i bën njerëzit miq, por zemra e shpirti.

Interpretimi i aktorëve ka sjellë në skenë një energji të veçantë, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun. Alban Prodani, aktor, thotë se kanë bërë një shfaqje të bukur dhe mezi pret të shkojë në Korçë për këtë shfaqje. Ai është nxënës i Guri Koços, dhe miqësia e tyre është shumë e madhe.

Pas premierës, shfaqja është pritur mjaft mirë nga publiku pogradecar, duke e bërë këtë projekt një sukses të menjëhershëm. Adea Cale, aktore amatore pjesë e kastit profesionist, tregon se është privilegj i madh për të që të marrë pjesë në këtë shfaqje dhe se janë shumë të kënaqur me pritjen e publikut.

“Dy dashuri dhe një veshkë” pritet të vijojë rrugëtimin e saj edhe në skena të tjera, duke përcjellë tek publiku mesazhin se miqësia dhe humanizmi mbeten vlerat më të çmuara, përtej çdo vështirësie.