Mes vështirësive dhe mungesës së mbështetjes, një i ri paralajmëron largimin nga bujqësia
Klajdi Halimllari është një i ri nga fshati Kuç i Korçës që prej vitesh ka zgjedhur të jetojë dhe të investojë në fshatin e tij të lindjes, duke vazhduar biznesin familjar dhe duke u përkushtuar në sektorin e bujqësisë. Në një kohë kur shumë të rinj në Shqipëri zgjedhin emigrimin, ai mbetet një nga ata pak që kanë vendosur të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Aktualisht, ai punon rreth 10 hektarë tokë, të cilën e ka zhvilluar ndër vite me shumë përpjekje dhe investim. Nga kjo sipërfaqe, 3 hektarë i ka të mbjella si fidanishte me rrush, mollë dhe qershi, fidane që shkojnë kryesisht në tregun vendas. Ndërsa 7 hektarë të tjerë punohen me zarzavate, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të prodhimit të tij.
Megjithatë, një nga problematikat kryesore mbetet tregu. Sipas tij, prodhimi shpesh nuk arrin të shitet plotësisht dhe këtë vit një pjesë e konsiderueshme e prodhimit ka mbetur në tokë. Edhe pse ka punuar shumë për të mbajtur dhe zhvilluar biznesin, Halimllari thekson se përkrahja e shtetit ka qenë pothuajse inekzistente.
Ai shprehet se fondet e IPARD dhe aplikimet për mbështetje nuk kanë qenë asnjëherë funksionale siç duhet, duke e bërë edhe më të vështirë për të rinjtë që duan të investojnë dhe të qëndrojnë në bujqësi.
Për të përballuar volumin e punës, sidomos në procesin e fidanishtes së rrushit, Klajdi Halimllari është detyruar të sigurojë një numër të madh punëtorësh, jo vetëm nga Shqipëri, por edhe nga jashtë. Ai tregon se në disa raste ka marrë punëtorë nga Serbi, të cilët paguhen deri në 100 euro në ditë për shkak të specializimit dhe mungesës së fuqisë punëtore vendase në këtë sektor. Ndërkohë, për punët në tokat e mbjella me zarzavate, punëtorët vendas paguhen rreth 20 mijë lekë të vjetra në ditë. Kostot tregon ai jane te larta.
Për të përballuar sfidat e punës në bujqësi, Klajdi Halimllari ka kryer investime të vazhdueshme në mjete bujqësore dhe në përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes. Ai ka investuar në sisteme të tubove të ujitjes, si dhe ka hapur puse me kosto tepër të lartë, si një zgjidhje e domosdoshme për mungesën e ujit gjatë sezonit veror. Sipas tij, thatësira dhe mungesa e burimeve ujore mbeten ndër sfidat kryesore që rrisin ndjeshëm kostot e prodhimit dhe vështirësojnë punën në tokë.
Historia e Klajdi Halimllarit pasqyron realitetin e shumë të rinjve në Shqipëri që, pavarësisht përpjekjeve dhe investimeve të vazhdueshme, përballen me sfida të mëdha në bujqësi. Ai shprehet se, nëse kjo situatë vazhdon me mungesë mbështetjeje, kosto të larta dhe vështirësi në treg, do të detyrohet ta lërë këtë aktivitet, ashtu si shumë të rinj të tjerë që kanë humbur besimin për të ndërtuar të ardhmen në këtë sektor.