‘Zogos duhet të shënonte ‘tripletë’, Dobi analizon barazimin ndaj Partizanit
Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, ka analizuar me tone kritike barazimin 2-2 ndaj Partizani në “Niko Dovana”, duke theksuar se skuadra e tij humbi një mundësi të artë për të marrë tri pikët.
“Kjo na dhemb, futbolli është lojë gabimesh, përsëritëm dy gabime. Me volumin që dhanë çunat u munduan jashtëzakonisht, por ishim naivë në dy golat e pësuar. Përqendrimi duhet të ishte akoma më i madh. Pas golit të pësuar reaguam mirë, këto ndeshjet duhen fituar”, u shpreh Dobi.
Tekniku durrsak theksoi se skuadra e tij kishte kontrollin e lojës në shumë momente: “Golin e parë e morëm në momentin që e kishim topin ne dhe e humbëm. Partizani nuk na rrezikoi në pjesën e parë përveç një aksioni. Teuta dallohet për presingun ultraofensiv, por duhet të ishim më të qartë në rikuperimin e topit, ishim me një kohë vonese”.
Dobi u ndal edhe te mungesat dhe problemet në fazën sulmuese: “Alternativat pas daljes së Dacit ishin të cunguara. Kur humbet një pikë referimi në sulm, është e vështirë. Kishim mungesa dhe na u komplikuan gjërat, duhet ta interpretonim ndryshe lojën ofensive”.
Një nga momentet kyçe, sipas trajnerit, ishin goditjet standarde: “Zogos duhet të bënte ‘tripletë’ në goditje standarde. Duhet të jemi më vigjilentë te golat që pësojmë. Na mungonte sinkronizimi dhe është e vështirë të përshtatemi kur mungojnë lojtarët me automatizma”.
Në fund, Dobi pranoi zhgënjimin për rezultatin, duke shtuar se skuadra duhet të reagojë menjëherë në ndeshjet e ardhshme për të mbajtur gjallë objektivin e ‘Final Four’.