Chivu i përgjigjet Contes: Presioni është pjesë e futbollit, titulli ende i hapur
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka folur në prag të përballjes ndaj Fiorentina, duke prekur edhe temën e garës për titull dhe deklaratat e Antonio Conte-s.
Sa i përket situatës në skuadër, Chivu konfirmoi mungesën e Alessandro Bastonit, i cili ende vuan pas goditjes së marrë në derbin ndaj Milanit. Mbrojtësi do të vlerësohet nga stafi mjekësor i Italisë për të parë nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjet e kombëtares.
Duke u ndalur te gara për titull, tekniku zikaltër theksoi se asgjë nuk ka përfunduar: “Janë ende shumë pikë në lojë dhe gjithçka është e mundur. Ne kemi një avantazh, por duhet të mendojmë vetëm për veten tonë dhe të vazhdojmë të jemi konkurrues”. Ai iu përgjigj edhe deklaratave të Conte-s për presionin: “Futbolli është presion. Askush nuk e ka përjashtuar ndonjëherë një skuadër nga gara. Është normale që gjatë sezonit të ketë momente më pak të mira”.
Chivu kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra e tij, duke nënvizuar se objektivat nuk arrihen pa sakrificë: “Askush nuk të fal asgjë, duhet të shkojmë vetë ta marrim atë që duam”.
Në fund, ai u rikthye te ndeshja e fundit ndaj Atalantës, pas së cilës Interi vendosi të mos flasë publikisht për gjykimin. Trajneri pranoi se skuadra bëri gabime dhe theksoi se fokusi duhet të jetë te përmirësimi: “Nuk dua alibi. Duhet të shohim gabimet tona dhe të përmirësohemi, pa u marrë me gjëra që nuk i kontrollojmë”.