Muriqi shpërdoron nga pika e bardhë, Mallorca mposhtet nga Elche në një duel mbijetese

Një moment vendimtar në fund i kushtoi shtrenjtë Vedat Muriqit dhe Mallorca, që u larguan pa pikë nga transferta ndaj Elche-s. Skuadra vendase triumfoi 2-1 në javën e 29-të të La Liga, në një përballje direkte për mbijetesë.

Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, ku fillimisht Mallorca kaloi në avantazh në minutën e 59-të me Pablo Torre, i cili realizoi një gol të bukur nga distanca. Megjithatë, reagimi i Elche ishte i menjëhershëm: Rafa Mir barazoi vetëm tri minuta më vonë, ndërsa Tete Morente përmbysi gjithçka në minutën e 72-të me një goditje me kokë.

Në çastet shtesë, miqtë patën shansin ideal për të marrë një pikë, pasi arbitri akordoi penallti pas ndërhyrjes së VAR-it për prekje të topit me dorë në zonë. Nga pika e bardhë u paraqit Muriqi, autor i një sezoni të shkëlqyer, por këtë herë gaboi rëndë, duke dërguar topin jashtë kuadratit.

Me këtë fitore, Elche ngjitet në kuotën e 29 pikëve dhe lë pas Mallorca-n, që mbetet në vendin e 18-të me 28 pikë, duke e bërë edhe më të vështirë garën për mbijetesë.