Osimhen nuk dorëzohet: operacion dhe 5-6 javë jashtë fushave pas dëmtimit ndaj Liverpool-it
Sulmuesi nigerian, Victor Osimhen, do të mungojë për disa javë pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Liverpool-it. Lojtari konfirmoi se ka thyer krahun dhe do t’i nënshtrohet një operacioni, duke parashikuar një periudhë rikuperimi prej 5-6 javësh.
“Nuk jam më i panjohur për situata të tilla. Kam kaluar gjëra edhe më të këqija, në fytyrë kam ende rreth 18 vida nga operacioni i mëparshëm dhe nuk mund të ha normalisht me anën e djathtë. Ky dëmtim është thjesht një gjë e vogël krahasuar me atë që kam kaluar”.
Sulmuesi konfirmoi seriozitetin e lëndimit: “Më është thyer krahu dhe do të duhet të operohem. Do të jem jashtë fushave maksimumi 5-6 javë”. Ai gjithashtu kujtoi lidhjen e veçantë me Galatasaray: “Ky klub më shpëtoi kur isha në fund. Pas nënshkrimit, edhe vajza ime u lidh më shumë me tifozët e Galatasaray se sa me mua. Do t’iu jem përjetësisht mirënjohës”.
Osimhen shpjegoi momentin e dëmtimit: “Shkova drejt topit, arrita me mbrojtësin, e kisha dorën të lirë dhe nuk prisja që gjuri i tij të binte mbi krahun tim. Nuk e kuptova menjëherë që ishte thyer. Kur provoja të vrapoja, dhimbja më ndaloi; ishte si të më binte krahu. Prova të vazhdoja, por nuk arrita”.