Shijak/ Kanosi me hanxhar një 55-vjeçar dhe i dëmtoi automjetin, arrestohet 39-vjeçari

Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me arrestimin e një 39-vjeçari, i cili dyshohet se ka kanosur dhe goditur fizikisht një 55-vjeçar, si dhe i ka dëmtuar automjetin.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Popullore”, ku shtetasi I. N., banues në Shijak, dyshohet se ka thyer me mjet prerës (hanxhar) xhamin e automjetit të shtetasit D. Ç., 55 vjeç, dhe më pas e ka goditur fizikisht, duke e kërcënuar për jetën.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar.

Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një hanxhar, të përdorura në ngjarje.

39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.