Berisha: Qytetarët të nxjerrin makinat dhe të bllokojnë rrugët! Rama është lubia që po përfiton nga kriza e naftës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Rama është përfituesi kryesor nga rritja e çmimeve të naftës dhe duke u bërë thirrje qytetarëve për reagim në rrugë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se deklarata e Ramës për uljen e akcizës me 20% vetëm kur çmimi i naftës kalon nivelin e 2200 lekëve është cinike dhe në dëm të qytetarëve.
Sipas tij, kjo politikë nënkupton rritje të mëtejshme të çmimeve dhe shtim të të ardhurave për qeverinë në kurriz të konsumatorëve.
Ai u shpreh se qeveria po përfiton nga situata e krijuar në tregun e karburanteve dhe se rritja e taksave ka krijuar një model ekonomik të varur nga të ardhurat fiskale.
Sipas Berishës, kjo situatë po ndikon negativisht në zhvillimin e ekonomisë dhe po rëndon mbi qytetarët.
Pjesë nga deklarata:
Adi Fiku: Zoti Berisha, Edi Rama ka deklaruar në asamblenë e PS se do e ulim akcizën 20 përqind kur çmimi i naftës të kalojë 2200 lekë. Kjo është një tallje e hapur...
Sali Berisha: Absolute, ky është cinizëm i ulët, do të thotë se çmimi do të shkojë 2200 lekë. Do të thotë se ky është lubia që po përfiton më shumë nga çmimi i naftës. Se kur çmimi i naftës shkon 2200, përfitimi i tij nga ky çmim rritet me 40 përqind dhe tani zotohet se do nxjerr sytë dhe do vë vetullat.
Është e turpshme, është cinike.
Ky është një motiv për çdo qytetar të nxjerrim makinat, të bllokojmë rrugët, të mos lëmë një kryehajdut të sillet në këtë këtë mënyrë.
A e keni marrë vesh, ka një gjë shumë të rëndësishme, për herë të parë në historinë e pluralizmit këtë vit, ekonomia nuk është kontribuuesi kryesor në prodhimin bruto të vendit. Jo. Janë taksat dhe rrogëtarët e shtetit.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se janë rritur kaq shumë taksat, saqë të ardhurat vijnë prej tyre.
Është një rreth vicioz shumë negativ për ekonominë, që e frenon ekonominë, dhe tani t’u premtosh shqiptarëve se kur të arrijë në 2200 nafta, atëherë do ul akcizën, është tallje cinike dhe do të thotë edhe njëherë që të nxjerrësh sytë dhe t’i çosh vetullat.
Prandaj qytetarët shqiptarë të dalin, ta rrëzojmë, e kemi në dorë.
Të heqim qafe një njeri të papërgjegjshëm.
A e morët vesh sot? Ka marrë përsipër të paguajë borxhin e Air Albania, të paguajë 35 milionë euro tek Air Albania sepse i ka shpenzuar me 150 udhëtimet turistike, etj, etj me radhë. Dhe tani detyrohen taksapaguesit të paguajnë 35 milionë euro të kompanisë private që ka falimentuar.