Berisha: Deputetët qëndrojnë me qytetarët e zonave të tyre në protestë. Ndoshta kjo mund të ndryshojë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar organizimin e protestave të opozitës, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për rolin dhe pozicionimin e deputetëve gjatë tubimeve.

Në bashkëbisedim me qytetarët, ai shpjegoi arsyet e strategjisë së ndjekur deri më tani, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime në vijim, ndërsa theksoi nevojën për përmirësimin e organizimit dhe rritjen e pjesëmarrjes.

Zonja Demokrate: Përshëndetje të përzemërta Doktor Berisha, nga një zonjë demokrate që ka lindur dhe do vdesë e tillë. Unë ndjek në mënyrë aktive të gjitha zhvillimet politike dhe jam prezente fizikisht bashkë me familjarët e mi në çdo protestë të zhvilluar ku pavarësisht vështirësive në frymëmarrje nga gazi, nuk jemi dorëzuar. Ajo çka unë kam konstatuar personalisht dhe mendoj se duhet të ndryshojë në protestë është unifikimi i qëndrimit mes deputetëve dhe qytetarëve. Unë shoh në vijë të parë të protestës të njëjtët njerëz, kurse pjesa më e madhe e deputetëve, gra e burra, shpërndahen mes turmës duke bërë xhiro në bulevard apo duke ecur krah për krahu me njëra-tjetrën sikur kemi dalë për festë. Qëndrueshmëria duhet të nisë nga gratë deputete që duhet të qëndrojnë në vijë të parë, të shoqëruar nga kolegët e tyre deputetë e kështu me radhë. Rezistenca ndaj regjimit duhet të nisë nga të gjithë deputetët, që edhe qytetarët të ndjehen të motivuar. Çdo deputet duhet të vijë me familjarët e tij dhe të sjellë minimumi 100 qytetarë nga njësitë e tyre sepse unë shoh shumë mangësi në organizim. Duke u falënderuar për kontributin që po bëni për përmbysjen e komunizmit dhe në këtë moshë, u uroj shëndet dhe çdo të mirë për ju dhe familjen tuaj. Unë do të vazhdoj të jem prezente dhe aktive ashtu siç kam qenë në vitet ’90 kur u kemi shpëtuar plumbave në bulevard me shpresën se kjo do të jetë lufta e fundit dhe do të rilindë shpresa për kombin shqiptar. Fitore!

Sali Berisha: Unë të shpreh mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj dhe mbetem borxhli dhe mirënjohës ndaj jush dhe familjes tuaj.
Por një sqarim do bëj. Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë kryesisht tek qytetarët e rretheve të tyre, e zonave të tyre në protestë.
Edhe mund të ndryshojë, por kjo ka qenë një taktikë dhe një qëndrim i yni, që ata të rrinë me qytetarët.
Mbase duhet të qëndronin në krye aty ku rri unë me një grup të vogël dhe me të tjerë.
E sigurt të jesh që gjatë këtyre ditëve ata punojnë dhe kanë punuar që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe.
Sidoqoftë organizimi duhet përsosur dhe jam plotësisht dakord me ju.