Ambrozia Meta: Rama spostoi rivalët politikë për të kontrolluar zgjedhjet e 2027-ës
Në intervistën e saj të mesditës në Syri TV, gazetarja Ambrozia Meta komentoi lëvizjet e fundit të kryeministrit Edi Rama në Partinë Socialiste, duke i cilësuar si një spostim të qëllimshëm politik që synon “blindimin” e kryeqytetit dhe kontrollin e plotë të Tiranës.
Meta theksoi se zhvendosja e Elisa Spiropalit nga drejtimi i qarkut të Tiranës në një njësi të thjeshtë të kryeqytetit nuk është rastësi, por pasojë e mosmarrëveshjeve të saj me Ramën dhe përplasjeve të vazhdueshme me Belinda Ballukun, si dhe e votës së saj në parlament që nuk përputhej me linjën e kryeministrit.
Gazetarja nënvizoi gjithashtu se Rama ka spostuar edhe drejtues të tjerë politikë si Shalsi, Damian Gjiknuri, dhe ministra të ndryshëm, duke i vendosur në njësi të ndryshme të Tiranës, për të “siguruar rezultatin në zgjedhjet lokale të 2027-ës”.
Meta theksoi se këto manovra nuk janë vetëm shenja të pakënaqësisë së kryeministrit me performancën e tyre, por gjithashtu tregojnë përqendrimin e pushtetit dhe mënjanimin e rivalëve politikë brenda Partisë Socialiste.
Deklarata e plotë:
“Në fakt është e vërtetë që sot pritej të kishte ndryshime në parti, pas ndryshimeve që Rama bëri në qeveri dhe që në një farë mënyre paralajmëroi deri diku edhe fatin politik të Elisa Spiropalit.
Është një ndëshkim në një farë kuptimi i paralajmëruar edhe ai që Spiropali ka pësuar sot në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste, ku ajo kalon nga një pozicion si drejtuese qarku në Tiranë, ku ka pasur në fakt zonat si Kavaja apo bashkitë e tjera, nuk ka pasur bashkinë e Tiranës, ka pasur bashkitë e tjera, që kanë qenë zona të rëndësishme dhe ka qenë një post politik i rëndësishëm.
Tashmë me këto ndryshime, ajo siç edhe ti e përmende, do të jetë thjesht drejtuese e njësisë 13 në kryeqytet, pasi duket që Rama po mundohet të bëjë një lloj blindimi të Tiranës dhe të kryeqytetit, në kushtet kur, siç e dimë edhe Erjon Veliaj është tashmë prej më shumë se një viti në burg dhe ku sot edhe Rama, po dhe Klosi janë shfaqur të pakënaqur me situatën në kryeqytet.
Për këtë arsye ka pasur në fakt një, le të themi, një shpërndarje të deputetëve në qarkun e Tiranës, po më kryesorja ka qenë, ka qenë lëvizja e Spiropalit.
Është e paralajmëruar edhe për shkak të votës që ajo ka pasur në parlament në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut. Rama e kishte paralajmëruar në fakt që ata që do t'i dilnin kundër do të merrnin një ndëshkim dhe duket se në këtë kuptim ka vijuar le të themi me një lloj mënjanimi të Elisa Spiropalit, e cila tashmë duket se nuk ka më asnjë post politik të rëndësishëm, përveç, përveç se u mënjanua dhe u diferencua dhe u largua nga postet e dikurshme që mbante.
Ajo ka qenë kryetare e parlamentit, ka qenë ministre e jashtme, duket se tashmë këto i përkasin një të kaluarës dhe në një farë mënyre mund të themi që ka nisur rënia e saj në Partinë Socialiste.
E cila nisi jo vetëm me këtë thyerje me kryeministrin Edi Rama, po dhe me marrëdhënien e saj dhe përplasjet e vazhdueshme që ka pasur me Belinda Ballukun, e cila duket se deri në këto momente do vijojë të ruajë drejtimin e qarkut të Fierit.
Edhe nga grafiku dhe analiza që socialistët kanë bërë sot, megjithëse Rama e kishte paralajmëruar që në një mbledhje të hershme të grupit që ajo do të vijojë të jetë drejtuese e qarkut. Duket se edhe në analizën që kanë bërë sot, Fieri rezulton qarku ku Partia Socialiste ka pasur fitoren më të madhe në zgjedhjet e, në zgjedhjet e 11 majit, pra në zgjedhjet e shkuara.
Nga ana tjetër, vihet re, duhet thënë edhe largimi i Shalsit nga Kukësi, ai ka qenë drejtues politik i qarkut të Kukësit. Tashmë me këto ndryshime, Shalsi merr një njësi në kryeqytet, pra do drejtojë, do jetë pjesë e fushatës për një nga njësitë në kryeqytet, duke pësuar në fakt, duhet thënë të njëjtin fat politik që ka pasur edhe paraardhësi i tij Pandeli Majko, të cilin Rama e spostoi nga qarku i Kukësit për ta sjellë në kryeqytet.
Të njëjtën gjë po bën sot me Shalsin, për shkak se është i pakënaqur pra. Tirana, Lezha, Shkodra dhe Kukësi janë qarqe ku Partia Socialiste, në një farë mënyre, sidomos Lezha, Shkodra dhe Kukësi ku kanë humbur, në Lezhë, në Shkodër dhe në Kukës, ku kanë humbur në zgjedhjet e shkuara, duket se janë edhe le të themi ato qarqe që kryeministri po tenton t'i ndryshojë me shpresën që do të ketë një rezultat tjetër në zgjedhjet lokale të 2027-ës.
Kemi një shpërndarje të deputetëve në qarkun e Tiranës, duket se ka ndryshime. Damian Gjiknuri i cili ka qenë i angazhuar me fushatën në Vlorë, tashmë kthehet në njësinë katër në kryeqytet, do të jetë së bashku me Blerina Gjylametin aty. Ndërkohë ministri Besfort Lamallari do të kalojë tek njësia 10 në kryeqytet. Në njësinë nëntë do të kemi Ogerta Manastirliun dhe Olti Muzakën.
Në njësinë një do të jetë e angazhuar Lindita Nikolla, e cila në fakt megjithëse kryeministri duket se e largoi nga postet që mbante për shkak të arsyeve shëndetësore, ajo duket se është ende në gjendje të bëjë fushatë.
Në njësinë tre do jetë Iris Luarasi dhe Dona Bilali. Në njësinë tetë ish-ministri Igli Hasani dhe Vilma Prenti. Në njësinë shtatë do të jetë ministri Jaupaj dhe gjithashtu Enkelejd Musabelliu.
Në njësinë gjashtë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu do të jetë e angazhuar dhe Megi Fino këtu dhe Endrit Yzeiraj. Në njësinë pesë në kryeqytet, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla dhe Erion Braçe do të shërbejnë aty. Kjo ngelet në fakt për t’u sqaruar sepse nuk kemi një konfirmim nëse Balla do të vijojë të angazhohet edhe në diasporë, aty ku Partia Socialiste tashmë synon të ngrejë degë më të mëdha dhe të bëjë ndryshime, të ketë edhe këshilla koordinues".