SHBA-të heqin disa sanksione ndaj naftës iraniane për 30 ditë

Qeveria amerikane po heq përkohësisht disa sanksione mbi naftën iraniane, duke lejuar shitjen e naftës iraniane që ka mbetur në det. Ky veprim synon të lehtësojë presionin mbi tregun global të energjisë dhe të ulë çmimet e naftës.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent tha se heqja e përkohshme e sanksioneve është “e targetuar ngushtë” dhe zgjat 30 ditë, vetëm për naftën iraniane që ndodhet tashmë në anije. Ai shpjegoi se ky veprim lejon shitjen e naftës që ishte “bllokuar” për shkak të barrierave të transportit detar.

“Duke hapur përkohësisht këtë furnizim ekzistues për botën, SHBA-të do të sjellin shpejt afërsisht 140 milionë fuçi naftë në tregjet globale, duke zgjeruar furnizimin global me energji dhe duke ndihmuar në lehtësimin e presioneve të përkohshme të furnizimit për shkak të Iranit. Në thelb, ne do të përdorim fuçi nafte iraniane në kurriz të Teheranit për të mbajtur çmimet të ulëta ndërsa vazhdojmë Operacionin Epic Fury”, tha ai.

Qeveria e Iranit theksoi të premten se nuk ka ngarkesa nafte bruto në cisterna që mund të shiten në tregjet ndërkombëtare.

“Aktualisht, Irani de facto nuk ka ngarkesa nafte bruto në det ose tepricë për të furnizuar tregjet ndërkombëtare, dhe deklaratat e Sekretarit të Thesarit të SHBA-së synojnë vetëm t’u japin shpresë blerësve”, shkroi një zëdhënës i ministrisë së naftës, në një postim në X.

Lufta SHBA-Iran vazhdon të shkaktojë kaos në tregjet e naftës dhe gazit, me Iranin që sulmon anijet e lidhura me SHBA-në dhe Izraelin dhe bllokon kalimin e karburantit nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Situata ka shkaktuar tronditje çmimesh dhe shqetësime në lidhje me pasojat ekonomike për ekonominë globale.