Gvozdenovic: Meritonim më shumë, çunat dhanë maksimumin

Pas barazimit 0-0 ndaj Egnatia, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, u shpreh se skuadra e tij ishte më pranë fitores, pavarësisht se në fund u mjaftua me një pikë.

Tekniku theksoi se verdheblutë krijuan më shumë raste dhe e krahasoi sfidën me një “ndeshje shahu”: “Kishim më shumë mundësi për të shënuar. Lajthia pati rast të pastër, më pas Musta dhe sërish Lajthia. Nuk jam i kënaqur me një pikë, por çunat bënë maksimumin dhe meritojnë vetëm respekt.”

Gvozdenovic shpjegoi edhe ndryshimet taktike pas kartonit të kuq të Boye në fillim të ndeshjes: “Kaluan në 4-4-1 dhe ideja ishte të shfrytëzonim shpejtësinë e Lajthisë. Në pjesën e dytë, kur mbetëm 10 me 10, loja u hap më shumë dhe kërkuam të sulmonim nga të dy krahët.”

Ai vlerësoi paraqitjen e ekipit, duke theksuar se Elbasani nuk u ndikua nga presioni: “Nuk kishim frikë, donim ta fitonim ndeshjen. Ishte një përballje e bukur dhe e hapur, me shumë hapësira.”

Trajneri shpjegoi edhe zëvendësimin e Loukilit, duke theksuar se ishte një vendim teknik për shkak të lodhjes, ndërsa analizoi edhe aktivizimin në krahë, ku skuadra tregoi më shumë kujdes në njërën anë për arsye taktike.

Në fund, Gvozdenovic falënderoi tifozët për mbështetjen: “Atmosfera ishte shumë e bukur, me 6-7 mijë tifozë. Kemi nevojë për ta.”