Barazim pa gola dhe shumë tension mes Elbasanit dhe Egnatias, verdheblutë parakalojnë Vllazninë në krye
Elbasani dhe Egnatia ndanë pikët në një përballje të luftuar që u mbyll 0-0. Ndeshja e vlefshme për javën e 29-të në Abissnet Superiore ishte e tensionuar nga fillimi deri në fund. Elbasani mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 6-të pas daljes me karton të kuq të Boye, ndërsa në minutën e 28-të Egnatia barazoi numrat pas përjashtimit të Ruçit me kartonin e dytë të verdhë.
Rastet më të mira nuk munguan. Lajthia ishte pranë golit në pjesën e parë, por shtylla i mohoi avantazhin Elbasanit, ndërsa në fundin e ndeshjes ishte portieri Dajsinani që shpëtoi Egnatian nga humbja, duke ndalur një tentativë spektakolare. Tensioni ishte i pranishëm gjatë gjithë sfidës, me protesta për penallti nga të dyja skuadrat dhe me nervozizëm edhe në pankinë.
Egnatia nuk arriti të merrte më shumë se një pikë në transfertë, një rezultat që nuk e kënaq plotësisht skuadrën kampione, sidomos duke parë rivalitetin direkt në krye të tabelës.
Nga ana tjetër, Elbasani e kërkoi maksimalisht fitoren, por në fund ishte i detyruar të kënaqej me barazimin, duke u ngjitur në vendin e parë dhe duke parakaluar Vllazninë me një pikë më shumë në renditje. Një pikë e vlefshme për verdheblutë, që vazhdojnë të besojnë në objektivin madhor të sezonit.