Rikthim i bujshëm në Kombëtare, Muçi thirret nga Sylvinho për ndeshjet playoff të Botërorit

Një lajm i rëndësishëm vjen për Shqipërinë, pasi Ernest Muçi është rikthyer në listën e grumbulluarve nga trajneri Sylvinho për ndeshjet e muajit mars. Konfirmimi ka ardhur fillimisht nga klubi i tij, Trabzonspor, përmes rrjeteve sociale, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit pritet të publikojë listën zyrtare të plotë së shpejti.

Ky është një rikthim i shumëpritur për sulmuesin shqiptar, i cili ka qenë në formë të shkëlqyer me Trabzonsporin, duke shpërthyer me paraqitje bindëse. Në vitin 2025, Muçi kishte vetëm pak hapësira me kuqezinjtë, duke u aktivizuar për rreth 30 minuta, por tashmë situata ka ndryshuar ndjeshëm.

Mbetet për t’u parë roli që ai do të ketë në ndeshjet vendimtare të playoff-it, ku Shqipëria synon të bëjë hapin e madh drejt Botërorit. Sfida e parë do të jetë në transfertë ndaj Polonisë, në një përballje gjysmëfinale që do të luhet më 26 mars në orën 20:45.

Rikthimi i Muçit shton alternativat në repartin ofensiv dhe rrit optimizmin për një paraqitje pozitive të Shqipërisë në këtë sfidë shumë të rëndësishme.