VIDEO/ Tension dhe dy kartonë të kuq në ‘Elbasan Arena’, godidet me kapsollë anësori Avdo

Pjesa e parë e sfidës mes Elbasani dhe Egnatia, e vlefshme për javën e 29-të në Abissnet Superiore, është mbyllur pa gola, por me tension të lartë dhe incidente serioze në “Elbasan Arena”.

Takimi nisi me ritëm të fortë dhe u ndez që në minutat e para, kur Boye i Elbasanit u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 7-të, duke i lënë vendasit me 10 lojtarë. Më pas, baraspesha numerike u rikthye, pasi Ruçi i Egnatias u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë, duke e çuar edhe skuadrën mike në 10 lojtarë.

Momenti i tensionit

Momenti më i rëndë i pjesës së parë ndodhi në minutën e 32-të, pas një përplasjeje mes lojtarëve Lajthia dhe Alijev, që tensionoi edhe më shumë atmosferën në stadium. Nga tribunat u hodh një kapsollë pranë gjyqtarit anësor Rejdi Avdo, i cili mbeti i dëmtuar. Episodi shkaktoi ndërprerje të përkohshme të ndeshjes, përpara se loja të rifillonte.

Pavarësisht rasteve dhe intensitetit të lartë, asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës në 45 minutat e para. Sfida mbetet e hapur dhe shumë e tensionuar, edhe për shkak të rëndësisë në renditje, me Egnatian që ndodhet vetëm dy pikë pas Elbasanit.