Vasili: Qeveria Rama dështoi, Evropa nuk pranon shtetin e kapur nga korrupsioni
I ftuar në emisionin Syri Digjital me gazetarin Bled Marku, ish-ligjvënësi i PL, Petrit Vasili, u shpreh se qeveria Rama ka vepruar nën iluzionin se mund të shkërmoqte shtetin ligjor dhe të cenonte të drejtat themelore të qytetarëve, duke përfshirë pronën, lirinë e shprehjes dhe të drejtën për drejtësi të barabartë.
Sipas tij, ky iluzion u mbështet mbi bindjen se Evropa do ta pranonte një model qeverisjeje të tillë, pavarësisht veprimeve që ndodhnin hapur dhe nën monitorimin e institucioneve ndërkombëtare.
Vasili theksoi se qëndrimi i Gjermanisë nuk është i izoluar, por pasqyron kërkesat e pakapërcyeshme të Bashkimit Evropian ndaj shteteve anëtare dhe theksoi se çdo përpjekje për ta personalizuar çështjen, duke e paraqitur si konflikt mes Berlinit dhe Tiranës, është thjesht një përpjekje propagandistike për të shmangur përgjegjësinë e brendshme të qeverisë.
Pjesë nga deklarata:
Po, me një fjali të vetme, kjo ishte një kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, pasi iluzioni i Edi Ramës ishte: “unë do të bëj gjithçka, do ta shkërmoq shtetin ligjor në tërë elementët e tij”, pra do ta shemb për dhe çdo element që ka të bëjë me të drejtat bazike të njeriut, me të drejtat e shenjta të pronës, të lirisë së shprehjes, të të drejtës për të marrë drejtësi të barabartë dhe me akses. Të gjitha këto u shëmbën për dhe.
Dhe Edi Rama kishte iluzionin që, megjithëse këto bëhen ditën për diell, në sytë e të gjithëve, nën monitorimin e të gjithëve, ai do t’i imponohej Evropës me këtë model të shtetit të tij, i cili punon, grabitet dhe trafikon për llogari të tij. Dhe nuk mund të kishte një qëndrim tjetër.
Qëndrimi gjerman nuk duhet parë thjesht si një qëndrim gjerman, sepse ai pasqyron frymën dhe kërkesat e pakapërcyeshme të Evropës për çdo shtet që kërkon të bëhet pjesë e saj. Pra, në këtë rast, Edi Rama sa herë që bllokohet në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok, përpiqet të krijojë personalizime.
Dikur, kur u shpreh Makroni, ju e mbani mend, u përpoq ta paraqiste si problem personal: “Evropa, Makroni ka problem me ne dhe na e nxjerr neve”. Sot thotë se Gjermania ka problem me ne. Madje pati edhe deklarata absurde, si ato të Baton Haxhiut që thoshte se nuk ka shtet më të korruptuar sesa Gjermania.
Kjo është propaganda provinciale: të krijohet ideja sikur një fuqi e madhe si Gjermania ka problem me një realitet të vogël si ky i korruptuar. Është qesharake. Në fakt, nuk është thjesht Gjermania, por i gjithë opinioni evropian.
Vendet e korruptuara, një narko-shtet, janë një fenomen i panjohur për Evropën, i paimagjinueshëm që të ekzistojë në zemër të saj. Amerika Latine ka pasur realitetet e veta historike, ekonomike e koloniale, por në Evropë kjo është e papranueshme.
Dhe Edi Rama ka vepruar me idenë se mund t’i imponohet Evropës me një model të tillë. Kjo ka ardhur duke ndjekur politikën e “havjarit”, pra të kompromentimit dhe korruptimit të zyrtarëve të caktuar evropianë, gjë që, fatkeqësisht, ka funksionuar deri në një moment.
Kemi parë ambasadorë të korruptuar dhe qëndrime skandaloze. Pamë edhe deklarata të diskutueshme nga figura të rëndësishme si Marta Kos, e cila i quajti zgjedhjet në Shqipëri të lira dhe të ndershme, ndërkohë që rezolutat evropiane kanë qenë kritike.
Megjithatë, shumë gjëra kanë filluar të ndryshojnë. Evropa e di mirë që të përfshijë vende me probleme të mëdha korrupsioni do të thotë të shtojë barrën e saj, jo ta zgjidhë atë.
Në këtë rast, është e qartë që sot problemi është më shumë te qeverisja sesa te qytetarët. Shqipëria shihet si një vatër ku kultivohet dhe mbështetet krimi i organizuar dhe narkotrafiku, që më pas ka si objektiv edhe vetë Evropën.
Kjo është provuar në shumë ngjarje nëpër Evropë, ku grupe kriminale shqiptare veprojnë duke pasur një bazë të sigurt në Shqipëri, ku kthehen kur kanë probleme.
Gjermania e di mirë se çfarë ndodh në qytete si Hamburgu apo Frankfurti, ku këto rrjete janë aktive. Për këtë arsye, një vend me këto problematika shihet si rrezik.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria konsiderohet një vatër nga ku organizohen aktivitete të krimit dhe narkotrafikut për Evropën, Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Prandaj, është e qartë që ka një përpjekje për t’i vënë fre kësaj situate.
Ndërkohë, politika e “havjarit”, pra ryshfeti, nuk mund të funksionojë pafundësisht. Ka ardhur një moment përballjeje me realitetin.
Nga ana tjetër, një investim i madh i Evropës ka qenë reforma në drejtësi. Por rasti Balluku u pa si një moment që shënoi fundin e iluzioneve për këtë reformë, e cila kishte kohë që ishte degraduar.
Pyetja që shtrohet është: çfarë mbetet nga ky investim për Evropën dhe SHBA-të, të cilat investuan jo vetëm financiarisht, por edhe politikisht për ta paraqitur si model?
Ky model nuk u ndoq nga vende të tjera si Kosova apo Maqedonia e Veriut, të cilat refuzuan një qasje të tillë.