Një nga thesaret e Ayrton Senna-s shitet në ankand për mbi 3 milionë euro

Një prej makinave më ikonike të Ayrton Senna-s, Toleman TG183B, po shitet në ankand me një vlerë të parashikuar midis 2,8 dhe 3,8 milionë eurosh. Kjo është makina me të cilën legjenda braziliane debutoi në Formula 1 në vitin 1984, sezoni i vetëm i karrierës së tij ku nuk arriti të fitojë asnjë garë.

Ankandi, i organizuar nga RM Sotheby’s, u jep mundësinë adhuruesve të Senna-s të bëhen pjesë të historisë duke siguruar makinën e sezonit të tij të debutimit me skuadrën Toleman Racing. Senna debutoi zyrtarisht në Grand Prix të Brazilit më 25 mars 1984, por nuk arriti ta përfundonte garën. Megjithatë, me TG183B ai siguroi pikët e para në kampionatin botëror, duke përfunduar i gjashti në Grand Prix-in e Afrikës së Jugut dhe Belgjikës të po atij viti.

Senna vazhdoi të garonte me këtë model edhe në San Marino, përpara se Toleman të kalonte në TG184 për pjesën tjetër të sezonit. Karriera e tij e mëvonshme është e famshme: 41 fitore në Grand Prix dhe 3 tituj botërorë me McLaren në 1988, 1990 dhe 1991. Sezoni i vitit 1984 mbetet i vetmi ku ai nuk fitoi asnjë garë.

Aktualisht, TG183B ndodhet në Monaco dhe është përdorur së fundmi nga Martin Brundle për një dokumentar të Sky F1 në 2022. Në 2024, makina u pilotua nga Pierre Gasly në Silverstone për të shënuar 40-vjetorin e garës së parë të Senna-s dhe 30-vjetorin e vdekjes së tij, duke e kthyer kështu këtë njëvendëshe historike në një simbol të trashëgimisë së legjendës braziliane.