Chiesa rikthehet në kombëtare, Gattuso beson tek lojtari i Liverpool-it për playoff-in e Botërorit

Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, ka vendosur të rikthejë në kombëtare sulmuesin e Liverpool-it, Federico Chiesa, duke shpresuar te kontributi i tij edhe nga stoli për ndeshjet e playoff-ve drejt Botërorit 2026.

Vendimi i Gattusos ka surprizuar disa, pasi gjatë sezonit Chiesa ka pasur minutazh të kufizuar në Liverpooli: 31 paraqitje me vetëm 660 minuta lojë, mesatarisht 21 minuta për ndeshje. Madje, në tri ndeshjet e fundit të Premier League, ai ka qenë titullar vetëm një herë dhe ka luajtur mesatarisht 12 minuta. Megjithatë, vullneti i fortë i Chiesa-s për t’u rikthyer dhe gjendja e tij e mirë fizike kanë qenë vendimtarë për rikthimin.

28-vjeçari, që nuk ishte pjesë e kombëtares që nga Europiani i 2024-shit, kishte refuzuar thirrjet e fundit për shkak të formës jooptimale. Gjatë këtij sezoni, ai ka patur vetëm shqetësime të vogla muskulore dhe ka marrë garanci mbi gjendjen e tij fizike.

Statusi i Chiesa-s në kombëtare dhe përvoja e tij janë po ashtu faktorë të rëndësishëm: me 51 paraqitje dhe 7 gola, ai ka qenë pjesë e Europianit të fituar në Wembley në 2021, edhe pse karriera e tij është penguar nga dëmtimi i ligamenteve kryqëzorë në 2022. Rikthimi i tij erdhi pasi Nicolò Zaccagni u dëmtua, duke i hapur rrugën për t’u përzgjedhur mbi konkurrentë si Bernardeschi, Berardi, Zaniolo dhe Maldini.

Gattuso beson se edhe minutat e pakta në fushë mund të jenë vendimtare: sulmuesi i ish-Juventus mund të bëjë diferencën në përballjen me Irlandën e Veriut dhe të ndihmojë Italinë të afrohet drejt Botërorit.