Portugalia pa Ronaldon: mungesa të mëdha në listën e Roberto Martínez-it për Botërorin 2026

Kombëtarja e Portugalisë ka zbuluar këtë të premte listën me 27 lojtarë për grumbullimin e parë të vitit 2026, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026. Trajneri Roberto Martínez ka sjellë disa risi interesante, por edhe mungesa të bujshme që kanë tërhequr vëmendjen.

Ndër surprizat pozitive spikat debutimi i Mateus Fernandes, si dhe rikthimet e emrave si Rodrigo Mora, Ricardo Horta, Gonçalo Guedes dhe Tomás Araújo. Këta emra pritet të japin alternativa të reja për trajnerin në prag të ndeshjeve miqësore ndaj Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara në fund të marsit.

Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e kapitenit Cristiano Ronaldo. ‘Ylli’ portugez nuk është ftuar për shkak të një dëmtimi muskulor që ka pësuar me Al Nassr dhe ende është në fazë rikuperimi. Po ashtu, për arsye dëmtimesh apo menaxhimi fizik mungojnë edhe emra të rëndësishëm si Bernardo Silva, Rúben Dias dhe Nélson Semedo.

Nga ana tjetër, ka edhe mungesa për zgjedhje teknike. Mes tyre përmenden João Palhinha dhe Paulinho, të cilët nuk janë përfshirë nga Martínez, ndërsa rasti i Pablo-s lidhet me faktin se ende nuk është i gatshëm për t’u grumbulluar.

Kjo listë e re tregon qartë se Portugalia po hyn në një fazë tranzicioni, duke testuar alternativa të reja, ndërsa përgatitet seriozisht për sfidat e mëdha që e presin në skenën botërore.