VIDEO-SYRI TV/ Lagjja ‘Zinxhiria’ mes mbeturinave, banorët jetojnë mes rrezikut të infeksioneve

Banorët e lagjes ‘Zinxhiria’ në Gjirokastër cdo ditë jetojnë mes mbetjeve urbane, duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore. Ata shprehen se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme që mbeturinat të pastrohen në mënyrë periodike, askush nuk ka marr masa. Sipas banorëve, mbeturinat që depozitohen nga vet ata, pastrohen një herë në muaj, duke krijuar një rrezik të madh për jetën e tyre

Nga SYRI TV

Rreth 60 familje në lagjen Zinxhira, në Gjirokastër, jetojnë çdo ditë mes mbetjeve urbane që depozitohen nga vetë banorët e zonës, duke krijuar një situatë të rënduar mjedisore dhe shqetësuese për shëndetin publik. Prania e vazhdueshme e mbetjeve, e shoqëruar me aromë të rëndë dhe përhapjen e insekteve, e ka kthyer zonën në një vatër potenciale infeksionesh.

Banorët shprehen se prej kohësh kanë kërkuar ndërhyrje dhe pastrim të rregullt nga institucionet përkatëse, por sipas tyre, mbetjet pastrohen vetëm një herë në muaj, një ritëm që nuk përballon sasinë e grumbulluar. Ata theksojnë se situata përkeqësohet ndjeshëm gjatë stinës së verës, kur temperaturat e larta e bëjnë pothuajse të pamundur kalimin në zonë apo jetesën normale në banesat e tyre për shkak të erës së rëndë dhe rrezikut të shtuar për shëndetin.

Banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të reagojnë menjëherë, duke rritur pastrimin në zonë dhe duke marrë masa konkrete për menaxhimin e mbetjeve, pasi neglizhenca e deritanishme, sipas tyre, po rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e komunitetit.