Serbia ul akcizat e naftës me 40%, Shqipëria vetëm 20%
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë të ditur se shteti që udhëheq do t’i ulë akcizat në produktet e naftës për 40 për qind, në mënyrë që të parandalohet rritja e çmimeve nëpër pompa, dyfish më shumë sesa është planifikuar ulja e akcizës në Shqipëri.
Ai ka bërë të ditur se shteti synon të garantojë furnizim të bollshëm dhe që çmimet të jenë nën kontroll.
“Ne jemi duke hequr dorë pothuajse tërësisht nga të hyrat tona, në mënyrë që ta zvogëlojmë ndikimin në buxhetin shtetëror, për aq kohë sa kemi rezerva të mëdha”, ka deklaruar Vuçiç pas një takimi me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Sipas tij, Serbia arkëton 2 miliardë euro për buxhetin nga akciza në naftë, njëherësh e ardhura më e madhe nga akciza.
Një javë më parë Serbia veçse e ka zvogëluar akcizën në produktet e naftës për 20 për qind, e cila, sipas Vuçiqit, i kushton shtetit rreth 35 milionë euro në muaj.
Përpara vendimit, taksat shtetërore përbënin më shumë se gjysmën e çmimit të një litri benzinë apo diesel që konsumatorët e kanë paguar nëpër pompa.
Vuçiç i ka përshkruar masat si “të dhimbshme për shtetin”, por që qytetarët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar pasi Serbia ka rezerva të mjaftueshme, shkruan REL.
Po në Shqipëri?
Ndërkohë në Shqipëri qeveria pritet që javën tjetër të ulë akcizën në 20%, efekti në treg që pritet të jetë rreth 8-10 lekë për litër. Gjithashtu do të rikthejë bordin që do të vendosë çmime tavan dhe marzhet e fitimit për shoqëritë e tregtimit të karburanteve.
Konflikti
Konflikti në Lindje të Mesme ka shkaktuar probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit me produkte të naftës dhe gazit, si dhe i ka rritur çmimet.
Teksa konflikti po vazhdon në Lindjen e Mesme, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit ka rënë në mënyrë drastike.
Rreth 20 për qind e sasisë së përgjithshme të naftës së lëngshme natyrore (LPG) që shfrytëzohet nëpër botë, qarkullon përmes kësaj ngushtice.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar se do të ketë rritje të çmimeve të naftës, por ka vlerësuar se ky është “çmim i vogël” që duhet paguar në mënyrë që të eliminohet kërcënimi bërthamor i Republikës Islamike të Iranit.