Burraj shkëlqen në 400 metra, vendos rekord të ri dhe siguron gjysmëfinalen në Botëror

Në Poloni po zhvillohet Kampionati Botëror i sallave të mbyllura në atletikë, ku Shqipëria përfaqësohet nga Franko Burraj. Atleti shkodran garoi në baterinë e pestë të disiplinës 400 metra, duke dhënë një paraqitje shumë të mirë.

Burraj e mbylli garën në vendin e tretë me kohën 46”57, rezultat që përbën një rekord të ri kombëtar. Ky sukses konfirmon formën e tij në rritje dhe progresin e vazhdueshëm në këtë disiplinë.

Pas përfundimit të të gjitha baterive eliminatore, ai arriti të siguronte një vend në gjysmëfinale. Edhe pse në fazën tjetër kalonin automatikisht vetëm dy atletët e parë nga çdo bateri, Burraj u kualifikua falë një prej katër kohëve më të mira në total.

Kështu, atleti kuqezi do të rikthehet sërish në pistë në mbrëmje për të garuar në gjysmëfinale, me synimin për të vazhduar paraqitjen pozitive dhe për të përmirësuar edhe më tej kohën e tij.