Guardiola shmang polemikat para finales me Arsenalin: Bota po shembet, ne flasim për ‘truke të pista’
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, refuzoi të hynte në lojëra psikologjike para finales së Kupës së Ligës kundër Arsenalit, që do të zhvillohet të dielën. Spanjolli u pyet për një duel të mundshëm verbal me trajnerin rival Mikel Arteta, por zgjodhi një qasje krejt ndryshe.
“Shikoni çfarë po ndodh në botë”, deklaroi Guardiola. “Ka një kaos të jashtëzakonshëm dhe askush nuk po reagon. Gjithçka ndodh pas skenave. Bota është drejt shembjes dhe ne vazhdojmë të flasim për ‘truke të errëta’”, shtoi ai, duke e minimizuar rëndësinë e polemikave sportive në krahasim me problemet globale.
Deklarata e tij riktheu në vëmendje një episod të diskutueshëm mes dy skuadrave në shtator 2024, pas një barazimi 2-2 në Premier League. Atëherë, disa lojtarë të City-t kritikuan stilin e lojës së Arsenalit. Bernardo Silva deklaroi se kundërshtarët kishin shkuar “deri në kufijtë e së lejueshmes”, ndërsa John Stones u ankua për ndërprerje të shpeshta të ritmit të lojës.
Ishte Kyle Walker ai që i përshkroi këto taktika si “truke të errëta”, një term që vazhdon të përdoret edhe sot në debatet mes dy skuadrave.
Megjithatë, Guardiola duket i vendosur të shmangë çdo tension të panevojshëm, duke u fokusuar vetëm te ndeshja dhe jo te polemikat jashtë fushe.