Pas aprovimit urgjent të draftit ligjor, ulja e akcizës e vendosur nga qeveria Meloni hyn në fuqi menjëherë
Vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të vendimit, realiteti në pikat e karburantit në Itali paraqitet më i lehtësuar, çmimet po bien, por ngadalë dhe jo në mënyrë të njëtrajtshme.
Sipas të dhënave të para, benzina varion ende nga 1.79 deri në 1.92 euro për litër, ndërsa nafta mbetet në luhatje nga nën e mbi 2 euro në shumë zona të vendit. Një rënie e dukshme krahasuar me ditët e mëparshme ekziston, por jo gjithmonë në nivelin e plotë prej rreth 25 cent për litër që parashikon masa.
Masa e qeverisë parashikon një reduktim të ndjeshëm të akcizës për benzinën dhe naftën, me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në tatimin mbi vlerën e shtuar. Qëllimi është i qartë: të zbutet ndikimi i krizës së energjisë mbi familjet dhe bizneset në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.
Megjithatë, masa ka një afat të kufizuar, rreth 20 ditë, dhe kjo ndikon në mënyrën si e percepton tregu dhe operatorët e sektorit. Më shumë sesa një zgjidhje afatgjatë, shihet si një ndërhyrje e përkohshme.
Kostoja e naftës bruto mbetet faktori kryesor që ndikon në çmimet e karburanteve, e shtyrë nga tensionet gjeopolitike dhe vështirësitë në furnizimin global. Në këtë kontekst, ulja e akcizës vetëm pjesërisht arrin të kompensojë rritjet.
Shumë pika karburanti po i përshtatin çmimet gradualisht. Stoqet e blera më herët dhe paqëndrueshmëria e tregut ndërkombëtar po ngadalësojnë reflektimin e plotë të uljes për konsumatorët.
Për bizneset, sidomos në sektorët e transportit dhe logjistikës, vendimi i qeverisë është një sinjal pozitiv. Kursimi për një mbushje mesatare mund të arrijë deri ne rreth 10–12 euro, një ndihmë konkrete në afat të shkurtër.
Megjithatë, pasiguria për të ardhmen mbetet e lartë. Pa masa më të qëndrueshme ose një ulje të çmimeve ndërkombëtare të energjisë, ekziston rreziku që kostot të rriten sërish pas përfundimit të dekretit.
Sipas analistëve, efekti në inflacion do të jetë i kufizuar. Ulja e akcizës ofron një lehtësim të përkohshëm, por nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm situatën e përgjithshme ekonomike.
Për konsumatorët, përfitimi është real, por i brishtë: çmimet ulen përkohësisht, por mbeten larg niveleve më të ulëta të viteve të kaluara.
E ardhmja e çmimeve do të varet kryesisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë./ Alba Kepi/