'Qytetarët të reagojnë për çmimin e naftës'/ Ndoka: Rama ka humbur mbështetjen… protestat, etalon force i opozitës
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaron se kryeministri Edi Rama ka humbur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, duke sjellë si prova reagimet e ambasadave kryesore të BE-së dhe rolin aktiv të Gjermanisë në monitorimin e Shqipërisë.
I ftuar në “Ora Neës, Ndoka thekson se realiteti politik ka ndryshuar rrënjësisht dhe se Sali Berisha nuk është më i izoluar.
Sipas Ndokës, protestat e opozitës nuk duhet të shihen thjesht si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë, por si një "njësi matëse" e rëndësishme demokratike.
Ai i përshkruan ato si një mjet me të cilin opozita mat peshën e saj dhe aftësinë për të frymëzuar qytetarët, por edhe si një "pasqyrë" ku mazhoranca mund të shohë "hendekun e pakënaqësive" të shkaktuar nga keqqeverisja, aferat korruptive dhe papërgjegjshmëria.
Protestat, sipas tij, i bëjnë mirë shoqërisë në tërësi dhe janë një hapësirë ku qytetarët kërkojnë alternativë dhe besim se gjërat mund të ndryshojnë.
Pika kyçe e argumentit të Ndokës është ndryshimi i qëndrimit të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë shqiptare. Ai pretendon se mbështetja e sponsorizuar që gëzonte më parë Kryeministri Rama nuk ekziston më. Si dëshmi, ai përmend deklaratat, sipas tij të paprecedenta, të pesë ambasadave kryesore të BE-së kur qeveria mori një vendim "për të mbrojtur korrupsionin nga sistemi i drejtësisë". Gjithashtu, ai thekson rolin aktiv të Gjermanisë, me autorizimin e SHBA-së, e cila po merret në mënyrë të veçantë me Shqipërinë për çështje si korrupsioni, devijimi i votës dhe mungesa e demokracisë. Këto zhvillime, sipas tij, i janë komunikuar edhe vetë kreut të qeverisë.
Në këtë kontekst të ri, Ndoka vlerëson se edhe pozicioni i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndryshuar. Nëse një vit më parë ai shihej si i izoluar për shkak të statusit "non grata", sot situata është ndryshe. Kreu demokristian argumenton se Berisha tashmë respektohet dhe njihet si "institucion" si në raport me SHBA-në, ashtu edhe me Bashkimin Evropian. Kjo, nënkupton një opozitë më të vendosur dhe koherente, e gatshme për të arritur objektivin e saj madhor.
Data e protestës, 22 Marsi, është zgjedhur për simbolikën e saj historike si dita e fitores së pluralizmit në vitin 1992.
Opozita e sheh këtë moment si vendimtar, duke treguar se është e vendosur të vazhdojë betejën e saj. Prania e qytetarëve në shesh, sipas Ndokës, dërgon një mesazh për të gjithë aktorët politikë për nevojën e "riparimit" dhe rritjes së përgjegjshmërisë.