SYRI TV/ Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, falin namazin në shesh
Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin, i dhanë fund Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, me faljen e përbashkët të Fitër Bajramit. Në Tiranë, mijëra njerëz u falën në sheshin “Skënderbej”. Mesazhet që u përcollën nga përfaqësuesit më të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishin bashkëjetesa fetare, uniteti kombëtar dhe familja e shëndetshme. Urimet nuk munguan as nga besimtarët, që u lutën për agjërim të pranuar dhe uruan për paqe e begati këtë Fiter Bajram.
Syri TV
Mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fiter Bajramit në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke përmbyllur Muajin e Madhërishëm të Ramazanit.
Falja tradicionale e Fiter Bajramit mblodhi bashkë besimtarët myslimanë në ceremoninë e organizuar në shesh, ku klerikë myslimanë fillimisht lexuan Kuran dhe mbajtën ligjëratë fetare.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për njerëzit në nevojë. Krahas urimit në përfundim të muajit të shenjtë, ai shprehu lutje për paqe në zonat e konflikteve.
Urimet nuk kanë munguar as nga besimtarët, të cilët janë lutur për agjërim të pranuar, teksa uruan për paqe e begati këtë Fiter Bajram.
Fiter Bajrami është një nga dy festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, që shënon përmbushjen e agjërimit gjatë Muajit të Ramazanit, ku myslimanët privohen nga ushqimi dhe pija nga lindja deri në perëndim të diellit, ndërsa shtojnë lutjet dhe faljet duke rritur adhurimin ndaj Zotit. Një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakasë, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë.