Pse Viktor Orbani i Hungarisë po e sulmon Ukrainën para zgjedhjeve vendimtare
Pak javë para zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare, kryeministri hungarez Viktor Orban e ka paraqitur rivalin e tij kryesor si një vegël të Kievit dhe Brukselit. Me partinë e tij që mbetet pas në sondazhe, lideri nacionalist ka kërkuar të rrisë tensionet mes Hungarisë dhe Ukrainës, duke pretenduar se Kievi dhe aleatët e tij europianë po komplotojnë për ta futur Hungarinë në luftë me Rusinë.
Në vitin 1241, ushtria mongole hyri në Hungari, duke shkaktuar kaos të papërshkrueshëm. Shumica e figurave fetare të vendit u masakruan. Plaçkitjet, vrasjet dhe uria që lanë pas pushtuesit e huaj krijuan një gjurmë të thellë në psikologjinë hungareze.
Shekuj më vonë, ndërsa Hungaria përgatitet për zgjedhje vendimtare parlamentare në prill, Orban po prek pikërisht këto frikëra historike, duke pretenduar se vendi është sërish nën kërcënim.
Partia e tij ekstreme e djathtë, Fidesz, po fokusohet te një "armik" i ri i jashtëm, rreziku që, sipas saj, paraqet Ukraina. Si pjesë e strategjisë për rizgjedhje, qeveria hungareze ka kërkuar të përshkallëzojë tensionet me Kievin.
"Orban ka kundërshtuar vazhdimisht financimin dhe mbështetjen ushtarake europiane për luftën e Ukrainës," tha Michael Ignatieff, ish-lider i opozitës kanadeze dhe historian, i cili ishte rektor i Universitetit Qendror Europian në Budapest kur qeveria e Orbanit e detyroi të zhvendosej jashtë vendit në vitin 2017.
"E reja e kësaj fushate është sulmi personal ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pretendimi se ai do ta tërheqë Hungarinë në luftë dhe se ushtarët hungarezë do të vdesin," shtoi Ignatieff.
Kërcënimi i një lufte të afërt
Richard Demény, analist i politikës së jashtme në institutin kërkimor Political Capital në Budapest, thotë se fillimisht Fidesz bëri fushatë me narrativa të politikës së brendshme, duke theksuar arritjet e regjimit të Orbanit gjatë 16 viteve të fundit.
Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të bindur votuesit e pakënaqur, të cilët kërkojnë më shumë nga qeveria në fusha si arsimi publik dhe shëndetësia. "Për të shpërqendruar nga këto mangësi dhe për të formësuar agjendën publike, Fidesz ka përdorur narrativa të bazuara te frika për të rritur ankthin te segmentet e shoqërisë që janë të ndjeshme ndaj kërcënimit të një lufte të afërt," tha Demény.
Partia e Orbanit ka qenë pas në sondazhe që prej vitit të kaluar, ndërsa partia e qendrës së djathtë Tisza, e udhëhequr nga Péter Magyar, po fiton terren. Mbështetësit e tij shpresojnë t'i japin fund sundimit 16-vjeçar të Orban-it.
Si përgjigje ndaj këtij presioni, Orban ka shtuar sulmet ndaj Ukrainës. Në një video fushate të publikuar në shkurt, një vajzë e vogël hungareze pyet për babanë e saj. Më pas shfaqet një ushtar me uniformë hungareze, me sy të lidhur, që qëllohet dhe bie në baltë. Një mbishkrim thotë: "Ky është vetëm një makth tani, por Brukseli po përgatitet ta bëjë realitet. Fidesz është zgjedhja e sigurt!"
Fidesz i ka paraqitur zgjedhjet e vitit 2026 si një zgjedhje mes luftës dhe paqes, duke lënë të kuptohet se një fitore e Tisza-s do t'i detyronte hungarezët të shkonin në luftë.
"Për herë të parë, Orban po pretendon hapur ekzistencën e një koordinimi politik mes administratës ukrainase, institucioneve të BE-së dhe opozitës hungareze për ta rrëzuar atë nga pushteti," tha Daniel Hegedüs nga Instituti për Politikë Europiane.
Nga rrugët kozmopolite të Budapestit deri te fshatrat e vegjël, billboard-e të mëdha fushate përdoren për të ndikuar tek segmentet e ndjeshme ndaj frikës së luftës.
"Në fakt, ata vetë janë rreziku," thuhet në një poster pro-qeveritar që paraqet një foto të përbashkët të presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Zelensky-t dhe Magyar-it.
"Pa naftë, pa para"
Në thelb të tensioneve në rritje mes Hungarisë dhe Ukrainës është ajo që Orbani e quajti "bllokada ukrainase e naftës" në një video të publikuar me 17 mars.
Dy vendet janë përfshirë në një konflikt që u përshkallëzua pasi furnizimet me naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë u ndërprenë në janar për shkak të dëmtimeve në tubacionin që kalon në territorin ukrainas. Zyrtarët ukrainas fajësojnë sulmet me dronë rusë për dëmet.
Orban ka akuzuar Zelensky-n se po bllokon qëllimisht furnizimet me naftë, pretendime që ky i fundit i mohon. Si kundërpërgjigje, Orban ka vënë veton ndaj një kredie të madhe prej 90 miliardë eurosh nga BE për të mbuluar nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vite.
"Nëse presidenti Zelensky dëshiron të marrë paratë nga Brukseli, atëherë duhet të rihapë tubacionin e naftës 'Miqësia'," tha Orban në video.
Ai madje ka akuzuar Ukrainën se po komploton për ta sulmuar atë dhe familjen e tij, duke publikuar një video ku pretendohet se ai flet me vajzat e tij në telefon dhe i paralajmëron për rrezikun.
"Metoda bazë politike e Orbanit është të krijojë armiq. Fillimisht Brukseli, tani Péter Magyar, të gjithë paraqiten si forca të huaja keqdashëse që komplotojnë kundër Hungarisë. Më pas Orban e paraqet veten si mbrojtësin trim dhe heroik të kombit hungarez," tha Ignatieff.
Megjithatë, sipas tij, Orban mund të ketë gjetur një rival të fortë te Magyar, i cili "është vetë ish-anëtar i Fidesz dhe shumë i zgjuar për t'ia lënë Orbanit terrenin nacionalist."
"Magyar udhëton nëpër vend, këndon këngë popullore patriotike me mbështetësit, valëvit flamurin kombëtar, citon poetët e mëdhenj hungarezë dhe po konkurron në mënyrë efektive me Orbanin për votën nacionaliste."
Strategjia e Orbanit mund të funksionojë ende. Në librin "Hungarians", historiani Paul Lendvai shkruan se pasoja më e rëndësishme psikologjike e pushtimit mongol ishte ideja se "ne hungarezët jemi vetëm".
Mosbesimi ndaj të huajve, edhe kur ata nevojiten si aleatë në kohë rreziku, "mund të jetë efektiv për të mbajtur votuesit e Fideszit dhetë pavendosurit të fokusuar te një kërcënim ekzistencial," tha Demény. /AFP – Syri.net