Drejtori i burgut të Rrogozhinës lirohet brenda ditës, Gjinaj: Marrëveshje për të shmangur përgjegjësinë penale
Një ngjarje e paprecedentë ndodhi ditën e djeshme, ku drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i arrestuar pas zbulimit të dy magazinave me 4000 rrënjë kanabis sativa në pronën e tij, është liruar nga qelia brenda 24 orësh. Lajmi për lirimin e tij erdhi vetëm një ditë pasi Hasa ishte vetëdorëzuar në polici, e cila më herët e kishte shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, plantacioni i lëndës narkotike u zbulua në dy magazina në pronësi të familjes së drejtorit të burgut, i cili tashmë është pezulluar nga detyra. Fakti që një zyrtar i lartë i sistemit të drejtësisë, i ngarkuar me menaxhimin e një institucioni ku lufta ndaj lëndëve narkotike është prioritet, përfshihet në një aktivitet të tillë kriminal, është thellësisht tronditës.
I ftuar ditën në Intervistën e mesditës në Syri Televizion, gazetari Fatjon Gjinaj tha se ironia bëhet edhe më e madhe kur merret parasysh se një nga sendet më të ndaluara dhe të trafikuara brenda burgjeve është pikërisht kanabisi, lëndë të cilën vetë drejtori dyshohet se e kultivonte në shkallë industriale.
Sipas gazetarit, në dëshminë e tij, Bilal Hasa ka ndërtuar një alibi ku tenton të distancohet nga aktiviteti kriminal.
Ai ka pretenduar se nuk e ka frekuentuar pronën familjare prej një kohe të gjatë dhe se për mirëmbajtjen e saj ishte kujdesur vëllai i tij me emrin Mario.
Kjo deklaratë shihet si një tentativë për të transferuar përgjegjësinë, duke ofruar një person tjetër si të implikuar, me qëllim përjashtimin e vetes nga akuza.
Gjinaj raportoij se operacioni policor që çoi në zbulimin e "fabrikës" së drogës u realizua pas informacioneve të siguruara nga sektori i kundër-narkotikëve.
LEXO EDHE: VIDEO/ Dorëzim me regji i drejtorit të burgut të Rrogozhinës, pasi iu zbulua shtëpia e barit
Në vendngjarje, përveç 4000 rrënjëve të kanabisit, nuk u gjet asnjë person. Megjithatë, janë sekuestruar prova të shumta materiale, si shishe uji, bishta cigaresh dhe mjete pune, të cilat mbartin gjurmë ADN-je dhe janë dërguar në laborator për analiza.
Deklarata e plotë:
“Është një ngjarje e papritur në kontekstin e pritshmërisë që duhet të kenë qytetarët, por edhe mediat, në raport me funksionin e lartë dhe aktivitetin kriminal.
Është e pakonceptueshme, ndonëse është normale, me sa duket ndodh në vendin tonë. U bë një njoftim dje nga policia, pasi u dha në media lajmi i zbulimit të dy magazinave të plantacioneve me kanabis sativa, në posedim të familjes dhe të tij.
Pra, policia në njoftimin zyrtar dje thoshte që magazinat janë në posedim dhe në pronësi të Bilal Hasës, i cili, thoshte, është shpallur në kërkim.
Çka do të thotë se ai, pas disa orësh, natyrisht unë nuk dua të bëhem pjesë por çfarë nuk kam dijeni të të çfarë ka ndodhur, pse u vetëdorëzua ose pse nuk u ndalua në momentin kur i vajtën për kontroll për ta arrestuar.
Janë çështje që i takojnë organeve të tjera, por fakti që u vetëdorëzua pas disa orësh, të krijohet perceptimi se marrëveshja u arrit, alibia u ngrit, por prapë kam një pyetje për këta drejtorë dhe këta zyrtarë, se mundet që ti t'i shpëtosh burgut.
Ka ndodhur me subjektet të krimit të organizuar, ka ndodhur me subjekte të nivelit të lartë, këto shtatzënitë e famshme në prag të hetimeve apo mbylljes së hetimeve apo komunikimit të akuzës dhe arsye nga më të ndryshmet. Po moralisht si ndiheni ju?
LEXO EDHE: VIDEO/ Ktheu magazinën në shtëpi bari, dorëzohet drejtori i burgut të Rrogozhinës
Domethënë, sepse ju nuk jeni, supozojmë, Bilal Hasa nuk është sot subjekti që ka shkelur ligjin, të paktën për policinë, është u hetua në gjendje të lirë.
Po përderisa në, objektin në pronësi tënden, të familjes tënde, zhvillohet një aktivitet i tillë kriminal.
Ai thotë që është pronë e familjes. Familja e tij prej kohësh nuk jeton më në zonë, por ai madje kishte pretenduar në deklaratën që ka bërë prej disa kohësh, shumë kohësh thoshte ai në polici, mund ta provoni përmes dëshmive apo kamerave të sigurisë apo gjithçka tjetër, që nuk e kam frekuentuar këtë zone.
Është kujdesur vëllai me emër Mario dhe nuk di çfarë ka ndodhur. Edhe ai, domethënë nuk nuk thotë që është plantacion i vëllait të tij, por thotë që është përkujdesur, që në një farë mënyre t'i japë një person policisë, por të përjashtojë veten.
Është një marrëveshje e dukshme, e hapur mes dy vëllezërish për t'iu shmangur përgjegjësisë së njërit prej tyre që ka funksione shtetërore.
Ne flasim shpesh dhe raportojmë për futjen e sendeve të paautorizuara dhe të palejuara në organet e paraburgimit apo të burgimit.
Një prej sendeve të ndaluara, të paautorizuara dhe të paligjshme është pikërisht kanabis sativa, është hashashi i njohur në gjuhën dhe në termat e përgjithshëm. Dhe ky hashashi vjen nga dikush dhe futet aty dhe natyrisht kalon, nuk mund të kalojë nën hundën e drejtuesve të burgjeve.
Pra, nëse deri dje ne mendonim dhe kishim dyshime apo denoncime apo edhe fakte konkrete publike që drejtuesit e burgjeve janë bërë palë me subjekte për të futur sende të paautorizuara në burg, sot ngrihet aludimi, po jo vetëm aludimi, por ngrihet pretendimi totalisht i ligjshëm që drejtuesit jo vetëm që mund të fusin dhe mund të lejojnë futjen e këtyre drogave në burg, por mund të fusin edhe drogën e tyre".