Qeveria nuk do të ulë taksat/ Nafta 220 lekë, eksperti tregon pse bordi i transparencës nuk është zgjidhja…
Çmimi i naftës ka kapur një tjetër rekord historik, duke arritur në 220 lekë për litër në pikat e karburantit në vend, një rritje skandaloze që ka rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në një kohë kur debati publik është i ndezur mbi shkaqet e kësaj rritjeje të pandalshme, eksperti i ekonomisë, Bardhyl Sejdarasi ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv ku ka analizuar situatën duke vënë në dukje se zgjidhjet e propozuara nga qeveria mund të jenë të pamjaftueshme.
Në përgjigje të krizës, qeveria ka njoftuar ringritjen e Bordit të Transparencës, një mekanizëm i përdorur edhe në vitin 2022 për të menaxhuar çmimet.
Eksperti Sejdarasi gjatë bisedës me Flavio Qarrin vuri në kontrast qasjen e Shqipërisë me atë të fqinjëve, si Italia, e cila pezulloi për 20 ditë akcizën për të lehtësuar konsumatorët. Sipas tij, ndërhyrja më efektive do të ishte ajo fiskale, pra ulja e taksave që rëndojnë mbi çmimin përfundimtar. Kjo është një mundësi që, sipas deklaratave të kryeministrit, qeveria shqiptare e ka përjashtuar, duke besuar se bizneset do të vetërregullohen. Një pritshmëri që Sejdarasi e konsideron joreale në ekonominë e tregut.
Një tjetër pikë kritike e ngritur nga eksperti është keqkuptimi publik dhe qeveritar rreth rezervës strategjike. Ai sqaron se kjo rezervë nuk është një mjet për të kontrolluar apo ulur çmimet e përditshme në treg. Funksioni i saj është të garantojë sigurinë kombëtare në raste ekstreme, kur furnizimi ndërpritet plotësisht.
Në përfundim, ndërsa qytetarët përballen me çmime rekord, zgjidhja e propozuar nga qeveria shihet si një masë paliative dhe jo strategjike.
Flavio Qarri: Rikthehemi të flasim për plagën e re dhe të madhe të hapur në xhepat e shqiptarëve. Çmimi pasditen e djeshme ka pësuar një tjetër rritje skandaloze, 220 lekë. Dhe për të kuptuar mbi të gjitha këtë çmenduri që po ndodh në naftën shqiptare, kemi ftuar një nga njohësit më të mirë të çështjeve ekonomike, gazetarin Bardhi Sejdarasi. Çështja është, duket sikur ka një konsensus që ky çmim nuk ka lidhje as me luftën, as me ngushticën e Hormuzit, dhe kryeministri ka dalë të bëjë një gjë të pabesueshme, i mblodhi grosistët dhe tha, "bravo ju qoftë për çmimet e mira që i keni në treg".
Bardhi Sejdarasi: Çfarë ka ndodhur? Nuk i shkoi më shumë se 12 orë kjo shprehje kryeministrit. Sigurisht që nuk mund të thuash bravo në asnjë rast kur ka rritje çmimesh dhe kur ka rritje çmimesh sidomos në faktorë të cilët mund të varen dhe nga qeveria. Sigurisht që unë e njoh shumë mirë tregun e hidrokarbureve, e njoh prej vitesh sepse kam qenë drejtor i shoqatës së hidrokarbureve dhe e di si funksionon dhe si menaxhohet ky treg. Ajo që është e rëndësishme dhe duhet thënë, është që patjetër që ka ndikime nga ajo që me të drejtë ju e përmendët, pra nga lufta, nga ngushtica e Hormuzit. Ne nuk marrim naftë në Iran, ne e marrim naftën në Mesdhe. Edhe kuotimi i naftës te ne bëhet me çmimin “Plat's të Mesdheut”, jo me çmimin Brent të Londrës. Po sigurisht që ndikimi është i madh.
Flavio Qarri: Pra nuk duhet ta shohim fare as bursën Brent.
Bardhi Sejdarasi: Jo, bursa Brent, shumica e kolegëve gazetarë ngatërrohen. Bursa Brent është çmimi i naftës së papërgatitur, bruto.
Pra, është një naftë, është kontratë paraprake, tremujore. Mbas tre muajsh do të dalë ajo që thotë Londra. Gjithësesi, ne kemi çmimin tonë, është Plat's i Mesdheut dhe kemi një rritje të madhe. Në qoftë se shikon statistikat do ta shohësh që nga 600-700 dollarë toni, ka vajtur në 1250, 1300 vetëm tani sepse është rritur prapë edhe sot. Pra, tregu është i tillë që e ndjek këtë konjukturë që thoni ju, pavarësisht që anijet e fundit që kanë ardhur në Durrës kanë qenë një nga Lituania, nga Libani, një ka qenë nga Franca dhe anija e tjetër ka qenë nga Italia. Anija franceze ishte 100 mijë tonë, nuk e blemë dot ne të gjithën, nga 100 mijë tonë vetëm 30 mijë tonë shkarkoi, 70 mijë tonë i mori prapë sepse nuk e njohin mekanizmin si funksionon. Pra duhet të kesh para të thata, si i thonë fjalës, që ta blesh. Gjithësesi, ky është tregu dhe me të drejtë ju e përmendët.
Por ky është tregu dhe këtë treg duhet ta njohë. Duhet ta njohë së pari qeveria, që e monitoron. Një lajm pak i pakonfirmuar që e kam para pak minutash është që qeveria ka vendosur të ngrejë përsëri bordin e transparences.
Ministri i ri i financave i ktheu përgjigje deputetit të opozitës, nënkryetar i komitetit të ekonomisë dhe të financave Eno Bozdo, sepse kishte bërë një propozim Partia Demokratike për të ndikuar dhe për të stimuluar uljen e çmimit të karburanteve në pompë, atë që treguat ju, nëpërmjet ndërhyrjes fiskale. Sigurisht që është folur dhe për bordin. Në dijeninë time, bordi ka mbajtur të njëjtën strukturë që ka patur në vitin 2022. Pra, tani nuk mund të kesh më shumë sesa rritje çmimi me 3 lekë për kompanitë e shumicës dhe me 12 lekë për kompanitë e pakicës. Por nuk gjykoj që është kjo, sepse tregu është i tillë që ti je i detyruar, pavarësisht nga sanksionet që mund të vendosësh, është i tillë që kërkesë-oferta është ajo që funksionon në treg.
Flavio Qarri: Mbrëmë Italia mori vendimin.
Bardhi Sejdarasi: Po, pikërisht, mori vendimin që nuk do të ketë për 20 ditë akcizë, fjala vjen. Shtetet rrotull nesh kanë po të njëjtën gjë. Pra, ajo që mund të ndikojë në një ulje të çmimit në kushtet e krizës është pikërisht ndërhyrja në sistemin fiskal. Qeveria shqiptare, me sa dëgjuam nga kryeministri, e ka përjashtuar ndërhyrjen në sistem fiskal. Dhe ka gjykuar atë që thatë ju që në fillim, që bizneset do sillen mirë, do jenë të dalluar dhe nuk do ta rrisin çmimin. Por kjo nuk ndodh. Nuk ndodh për arsye sepse është një treg. Në një treg, çdokush del për të fituar, nuk del për të humbur. Dhe unë e di që sot është mjaft e vështirë për të fituar me këtë çmim që ke. Arsyeja është e thjeshtë, sepse arsyeja lidhet me shumë faktorë. Një nga faktorët është siç ju thashë sistemi fiskal. Faktori i dytë është një ngatërresë e madhe që bëjmë ne midis rezervës tregtare dhe rezervës strategjike. Kryeministri ka folur kohët e fundit për rezervën strategjike. Ka folur me 17 vjet vonesë. Para 17 vjetësh Bashkimi Europian i kërkoi qeverisë shqiptare që të siguronte, që në atë kohë, rezerva strategjike, të bënte ligjin. Ligji u bë jo në 2009-ën, por u bë në 2019-ën. Pra 10 vjet më pas u bë ligj. U zhduk pas 2019-ës dhe u hodh prapë në qarkullim në 2025-ën. Vetëm duhet të kemi një gjë parasysh, mos e ngatërrojmë si gazetarë. Rezerva strategjike nuk është një rezervë nafte që të ndikojë te çmimi, pra që është faktor çmimi, që ti mund ta futësh atë rezervë strategjike dhe të thuash do ulet çmimi. Jo. Kjo është rezerva tregtare që i kanë bizneset sot për 90 ditë. Rezerva strategjike është një rezervë që duhet ta menaxhojë qeveria shqiptare, e cila ndikon në momente kur nuk ke më treg, kur kufizohen furnizimet dhe kur s'ke fare furnizim. Mendojeni sot për shembull që asnjë anije nga këto që unë përmenda pak më parë të mos vinte në portin e Durrësit, në Porto Romano. Çfarë do të konsumonin shqiptarët? Çfarë do të bënin? Organizata Botërore e Energjisë hodhi 400 milionë fuçi. Kjo ishte rezerva strategjike, për herë të parë nuk kishte ndodhur ndonjëherë, ndodhi këtë vit. Pra rezerva strategjike është një element që nuk lidhet me çmimin, që nuk ndikon te çmimil…