Kërkoheshin nga emigracioni, dy shqiptarët arrestohen në Angli për trafik kokaine

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim nga autoritetet e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, janë arrestuar në Norwich nën dyshimet për përfshirje në trafik kokaine në shkallë të gjerë.

Sipas mediave britanike, Gjosardo Suli, 28 vjeç, dhe Denis Brahimi, 24 vjeç, u ndaluan më 17 mars, pasi automjeti me të cilin udhëtonin pothuajse u përplas me një makinë policie në rrugën Prince of Wales Road.

Gjatë kontrollit, policia dyshon se në automjet u gjetën 26 qese të mbyllura me kokainë, me vlerë mbi 1,000 paund secila, si dhe shuma të konsiderueshme parash cash. Dy të rinjtë mësohet se kanë tentuar t’u japin efektivëve identitete të rreme.

Hetimet vijuan me kontrolle në disa prona në qytet. Në një apartament në qendër të Norwich-it, në Barnard's Yard, u zbuluan tre blloqe kokaine me një vlerë të përllogaritur në rreth 60,000 paund. Ndërsa në një tjetër banesë në Portersfield Road, policia gjeti 6,000 paund cash dhe sasi të tjera lënde narkotike.

Autoritetet bëjnë me dije se të dy të arrestuarit kishin hyrë ilegalisht në Britani dhe ishin në pritje të procedurave të dëbimit, por rezultonin të zhdukur prej kohësh. Suli kërkohej nga shërbimet e emigracionit që prej majit 2025, ndërsa Brahimi kishte shkelur detyrimin për paraqitje të rregullt në polici që nga viti 2024.

Të dy u paraqitën para Gjykatës së Magjistratëve në Norwich, ku konfirmuan identitetin, por nuk pranuan apo mohuan akuzat për përfshirje në shpërndarjen e drogërave të forta. Brahimi përballet gjithashtu me akuza shtesë për posedim dokumenti identiteti të falsifikuar dhe drejtim automjeti pa leje të vlefshme.

Çështja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Kurorës në Norwich, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 16 prill. Deri atëherë, gjykata ka vendosur që të dy të qëndrojnë në paraburgim për shkak të seriozitetit të akuzave.