Rrëfimi tronditës i yllit të Interit: Mjekët më thanë të harroja futbollin

Sulmuesi i Inter, Ange-Yoan Bonny, ka ndarë një nga momentet më dramatike të jetës së tij, kur karriera e tij ishte pranë fundit ende pa nisur mirë.

Në një intervistë për “L’Équipe”, ai kujton se në moshën 17-vjeçare, gjatë testeve mjekësore me Juventusin, mjekët zbuluan një problem në zemër dhe i sugjeruan të hiqte dorë nga futbolli.

“Kalova nga transferimi te Juventusi në asgjë. Më thanë se të luaja futboll do të ishte shumë e vështirë”, rrëfen ai, duke e cilësuar atë moment si një goditje të madhe për ëndrrat e tij.

Pas këtij lajmi tronditës, Bonny u kthye në qytetin e tij, Tours, ku gjeti mbështetje te miqtë e tij më të afërt.

Një parking i thjeshtë në lagjen e tij u bë vendi ku ndau dhimbjen dhe kuptoi se kujt mund t’i besonte në momentet më të vështira.

“Miqtë e mi e përjetuan sikur t’u kishte ndodhur atyre. Nuk do ta harroj kurrë atë moment”, tregon sulmuesi.

Ironikisht, është po ai vend ku vite më vonë ai festoi arritjen më të madhe, nënshkrimin me Interin.

Rrugëtimi i tij vazhdoi me Parmën, ku u rrit si lojtar, përpara se të arrinte në elitën e futbollit italian.

Sot, në një nga stadiumet më të mëdha si “San Siro”, historia e Bonny mbetet një dëshmi e fortë se besimi dhe këmbëngulja mund të mposhtin edhe momentet më të errëta.