'Familja mbetet një vlerë thelbësore'/ Mesazhi i Myftiut të Shkodrës në ditën e Bajramit

Besimtarët myslimanë në Shkodër kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fitër Bajramit në sheshin pranë xhamisë “Ebu Bekër”, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në mesazhin e tij, zv/myftiu i Shkodrës, Arben Halluni, vuri theksin tek rëndësia e familjes dhe respektit ndaj prindërve.

Ai ngriti shqetësimin për një fenomen që e cilësoi të dhimbshëm, atë të dërgimit të prindërve në azile, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe dashuri ndaj tyre.

“Sot duhet të jemi pranë prindërve tanë. Le të mos i shohim si barrë, por si bekim. Sa janë gjallë, mbajini pranë zemrës dhe shtëpisë tuaj.”

Më tej, Halluni theksoi se familja mbetet një vlerë thelbësore dhe se nuk duhet të zëvendësohet me koncepte formale apo administrative, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së saj si bazë e shoqërisë.

Pas përfundimit të faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe përshëndetje, duke përcjellë mesazhe paqeje dhe harmonie në këtë ditë feste.