'Fitër Bajrami në Kukës', Myftiu i qytetit: Kjo është një ditë shpërblimi dhe gëzimi! Gëzuar të gjithë besimtarëve

Besimtarët myslimanë në Kukës kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në këtë ditë të bekuar, ata kanë përcjellë urimet e tyre për më shumë paqe, harmoni dhe begati, duke e kthyer festën në një moment reflektimi dhe gëzimi të përbashkët.

Myftiu i Kukësit, Emirjon Vathaj, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, theksoi se kjo është një ditë shpërblimi, ku njeriu gjen mirësinë dhe mëshirën e Allahut.

Ai e cilësoi Fitër Bajramin si një ditë gëzimi për të gjithë besimtarët dhe një mundësi për të forcuar besimin dhe lidhjet mes njerëzve.

Pas përfundimit të faljes, besimtarët shkëmbyen urime dhe përshëndetje me njëri-tjetrin, duke përcjellë frymën e solidaritetit dhe mirëkuptimit.