Netanyahu: Lufta do të përfundojë shumë më shpejt sesa mendojnë njerëzit! Trump, miku im
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Lindja e Mesme ka ndryshuar “përtej çdo njohjeje”, duke theksuar se situata gjeopolitike në rajon ka pësuar transformime të thella si pasojë e zhvillimeve të fundit.
Netanyahu u shpreh se Izraeli është “më i fortë se kurrë më parë”, ndërsa e përshkroi Iranin si “më të dobët se kurrë”.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Netanyahu theksoi një nivel të lartë bashkëpunimi, të cilin e cilësoi si historik. “Kemi sjellë mikun tonë, SHBA-në, në një bashkëpunim që nuk është parë kurrë më parë në histori,” tha ai.
Ai veçoi gjithashtu raportin me presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar si një partneritet të jashtëzakonshëm. “Bashkëpunimi i madh mes meje dhe mikut tim të mirë Trump është i paprecedentë,” u shpreh Netanyahu.
Sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, kryeministri izraelit deklaroi se lufta do të zgjasë “aq sa të jetë e nevojshme”. Ai shtoi se ende ka punë për t’u bërë dhe se operacionet do të vazhdojnë.
Megjithatë, Netanyahu dha edhe një sinjal se përfundimi i konfliktit mund të vijë më shpejt nga sa pritet. “Do të përfundojë shumë më shpejt sesa mendojnë njerëzit,” përfundoi ai.