FIFA dënon Izraelin dhe apelon për paqe në prag të Botërorit 2026
FIFA ka marrë vendime të rëndësishme pas një mbledhjeje të saj të zhvilluar të enjten në Zyrih, duke riafirmuar angazhimin për paqe dhe lojë të ndershme në futboll. Presidenti Gianni Infantino theksoi rolin e futbollit si urë për të bashkuar njerëzit në kohë krizash gjeopolitike: “FIFA nuk mund të zgjidhë konfliktet gjeopolitike, por angazhohemi të përdorim fuqinë e futbollit dhe Botërorin për të promovuar paqen. Mendimet tona shkojnë te ata që vuajnë nga luftërat në vazhdim.”
Sanksionet ndaj Izraelit
Pas hetimeve mbi pjesëmarrjen e skuadrave izraelite në garat që supozohet se zhvillohen në territoret palestineze, Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi të sanksionojë Federatën Izraelite të Futbollit (IFA) për shkelje të artikujve 13 dhe 15 të Kodit Disiplinor, për sjellje ofenduese dhe diskriminim racist. IFA do të paguajë një gjobë prej 165,000 eurosh dhe duhet të vendosë një pankartë të dukshme në tri ndeshjet e ardhshme të kombëtares me sloganin: “Football Unites the Ëorld – No to Discrimination”.
Gjithashtu, Federata do të zbatojë një plan të plotë për parandalimin e diskriminimit, duke përfshirë reforma, protokolle, mbikëqyrje dhe fushata edukative në stadiume dhe kanale zyrtare për një sezon të tërë. Një e treta e gjobës do të përdoret menjëherë për këtë plan, ndërsa pjesa tjetër brenda 30 ditëve.
Fokus në dialog dhe mirëqeverisje
FIFA thekson se nuk do të ndërmarrë masa të tjera lidhur me statusin e juridiksionit të Bregut Perëndimor, i cili mbetet një çështje e pazgjidhur dhe komplekse sipas së drejtës ndërkombëtare. Organizata do të vazhdojë të promovojë dialogun dhe të lehtësojë ndërmjetësimin mes Federatës Palestineze dhe Federatës Izraelite në nivel operacional.