Zi tek Interi, ndahet nga jeta bashkëpunëtori historik i Mourinho-s

Interi ka dhënë një lajm të trishtë për ndarjen nga jeta të Silvino de Almeida Louro, një figurë e njohur dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Jose Mourinho-s.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, klubi zikaltër shprehu ngushëllimet për humbjen e ish-trajnerit të portierëve, i cili ishte pjesë e stafit të ekipit të parë në periudhën 2008–2010, një nga epokat më të suksesshme në historinë e klubit.

Pas një karriere 23-vjeçare si portier, Silvino nisi rrugëtimin si trajner dhe bashkëpunëtor i Mourinho-s, me të cilin punoi për shumë vite, nga 2001 deri në 2018. Tek Interi, ai kontribuoi në përgatitjen e portierëve si Julio Cesar, Francesco Toldo dhe Paolo Orlandoni.

I njohur për personalitetin dhe karizmën e tij, Silvino shpesh merrte pjesë aktivisht në stërvitje, duke veshur dorezat dhe duke punuar drejtpërdrejt me portierët në fushat e ‘Appiano Gentile’-s.

Gjatë periudhës së tij tek Interi, ai ishte pjesë e një skuadre historike që fitoi dy tituj kampion, dy Superkupa të Italisë, një Kupë Italie dhe kulmin me triumfin në UEFA Champions League 2010.

Klubi zikaltër u shpreh se qëndron pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë, duke nderuar kontributin e një njeriu që la gjurmë të rëndësishme në historinë e Interit.