Vinicius shkëlqen në Champions, lë pas Ronaldon dhe i afrohet rekordeve të Messit e Neymarit

Vinicius Junior po vazhdon të shkruajë historinë në UEFA Champions League, duke konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më vendimtarë të Real Madridit.

Sulmuesi brazilian ka arritur një tjetër rekord të rëndësishëm, duke u bërë lojtari më i ri që arrin 80 ndeshje në këtë kompeticion. Ai e shënoi këtë moment me një ‘dopietë’ ndaj Manchester City-t, në sfidën që u siguroi madrilenëve kualifikimin në çerekfinale.

Para moshës 26-vjeçare, Vinicius ka regjistruar 34 gola dhe 26 asistime në Champions, duke lënë pas shifrat e Cristiano Ronaldo-s në të njëjtën moshë, i cili kishte 26 gola dhe 13 asistime.

Edhe më impresionues është kontributi i tij në fazat me eliminim direkt, ku ka realizuar 26 gola dhe 13 asistime, duke treguar se është një lojtar që bën diferencën në ndeshjet më të rëndësishme.

Forma e tij e jashtëzakonshme e ka afruar tashmë me emra legjendarë si Lionel Messi dhe Neymar. Me 29 kontribute në gola në 39 ndeshje me eliminim direkt, ai renditet menjëherë pas Messit në këtë statistikë për moshën e tij, ndërsa ka lënë pas edhe Neymarin dhe Kaka-në si braziliani më produktiv në këtë fazë të kompeticionit.

Në total, 25-vjeçari ka arritur në 60 kontribute në gola dhe tashmë është shumë pranë rekordit (73) të Neymarit, duke dëshmuar se e ardhmja e Champions-it mund të ketë emrin e tij.