Netanjahu: Izraeli sulmoi i vetëm fushat e gazit iranian, SHBA po punon fort të hapë Ngushticën e Hormuzit

Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi se Izraeli ka vepruar i vetëm sa i takon sulmit të fundit ndaj fushave iraniane të gazit.

“Izraeli ka vepruar i vetëm”, tha Netanjahu duke shtuar “Presidenti Trump na kërkoi të ndalojmë sulmet e ardhshme dhe ne po e bëjmë këtë”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi shenjat që tregojnë se regjimi iranian “po thyhet”, ai thotë se “ka shumë të tilla”.

“Po punojmë për të krijuar kushtet që ai të shembet, por mund të mbijetojë, mund edhe jo”, shprehet ai.

Nëse mbijeton, regjimi “do të jetë në pikën e tij më të dobët”, tha Netanjahu.

Ai shton se SHBA, me mbështetjen e Izraelit, po punon fort për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Nëse ia dalin, gjë që unë besoj se do ta bëjnë, atëherë çmimet e naftës do të ulen”, shprehet ai.

Megjithatë, ai shton se nëse i nënshtrohesh shantazhit dhe e lejon Iranin të vazhdojë zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike, “do të përballesh me forma shantazhi që nuk mund t’i imagjinosh kurrë”, shkruan BBC.

Aeroplanët izraelitë goditën kompleksin e gazit Parsi Jugor, afër Asalojehit, goditën më shumë sesa tubacione dhe kompresorë. Ata goditën pjesën e infrastrukturës më thelbësore për funksionimin e Iranit – një fushë kyç që ofron rreth 75 për qind të furnizimit të brendshëm me gaz të Iranit dhe prodhon afër 80 për qind të energjisë elektrike të vendit.

Sulmi ndaloi prodhimin në dy rafineri që së bashku kanë një kapacitet ditor prej 100 milionë metrash kub, duke bërë që çmimet të rriten ndjeshëm dhe duke nxitur kundërsulme nga Irani ndaj infrastrukturës së energjisë në shtetet arabe të Gjirit Persik, përfshirë në terminalin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) Ras Lafan të Katarit.