Vi-app-gra? Shkencëtarët krijojnë aplikacionin e ri që ndihmon meshkujt të zgjasin më shumë në shtrat

Shkencëtarët kanë zhvilluar një aplikacion për smartphone që ndihmon burrat të zgjasin më shumë gjatë marrëdhënieve seksuale, duke adresuar shkaqet psikologjike të ejakulimit të parakohshëm.

Aplikacioni, i quajtur Melonga App, është krijuar nga urologë dhe psikologë nga Belgjika, Gjermania, Finlanda dhe SHBA dhe ofron teknika terapeutike, ushtrime praktike dhe këshilla për kontrollin e eksitimit dhe të ejakulimit. Përfshihen ushtrime të vetëdijes, terapi njohëse-biheviorale dhe ushtrime fizike për të përmirësuar kontrollin mbi orgazmën.

Në studimin CLIMACS në Gjermani, 80 burra të shëndetshëm morën pjesë në një program 12-javor. Pjesëmarrësit matnin kohën nga penetrimi deri te ejakulimi. Rezultatet treguan se përdorimi i aplikacionit dyfishoi mesatarisht kohën e marrëdhënies, nga 61 në 125 sekonda, ndërsa grupi kontrolli pa një rritje minimale prej 0.5 sekondash.

Pas 12 javësh, 22% e burrave që përdorën aplikacionin nuk kishin më probleme me ejakulimin e parakohshëm. Përdoruesit raportuan më shumë kontroll, ulje të shqetësimit lidhur me ejakulimin dhe përmirësim të cilësisë së jetës seksuale dhe besimit gjatë marrëdhënieve.

Shkencëtarët theksojnë se shumica e trajtimeve farmaceutike aktuale për simptomat e ejakulimit të parakohshëm trajtojnë vetëm pasojat, jo shkaqet, dhe shpesh nuk vazhdojnë përdorimin. Aplikacioni ofron një mënyrë të re, private dhe të lehtë për të trajtuar këtë çrregullim pa ilaçe, duke reduktuar stigma dhe duke normalizuar problemin si të trajtueshëm.

Dr. Christer Groeben nga Universiteti i Marburgut tha se aplikacioni mund të ndihmojë burrat të përmirësojnë kontrollin dhe të kenë një jetë seksuale të kënaqshme pa humbur spontanitetin. Studimi pritet të prezantohet në Kongresin Vjetor të Shoqatës Europiane të Urologjisë dhe rezultatet finale do të publikohen më vonë gjatë vitit.

Kjo qasje digjitale konsiderohet një zhvillim i madh, pasi afron trajtim të bazuar në prova dhe mund të ndihmojë pothuajse një të katërtën e pacientëve pa përdorur pilula. / New Scientist – Syri.net