VIDEO/ Ktheu magazinën në shtëpi bari, dorëzohet drejtori i burgut të Rrogozhinës

Drejtori i burgut të Rrogozhinë Bilal Hasa është vetëdorëzuar në polici në kuadër të hetimeve se në një magazinë në pronësi të tij është gjetur një ‘shtëpi bari’ me 4 mijë rrënjë kanabis sativa.

Sipas burimeve, ai nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk kishte shkuar prej muajsh në ambientin në fjalë.

Në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, Ervis Maci për akuzën 'shpërdorim detyre'.

Policia informon se gjatë operacionit janë sekuestruar 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Njoftimi i Policisë së Elbasanit:

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Kurtaj’, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.