Drejtori i burgut të Rrogozhinës me shtëpi bari, pamjet e operacionit! Në kërkim dhe përgjegjësi i OSHEE-së
Drejtori i Burgut të Rrogozhinës kishte përshtatur 2 ambiente të bodrumit të një magazine për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Godina ishte në fshatin Kurtaj njësia administrative Gjocaj, ku Hila më përpara ka mbajtur dhe detyrën e administratorit.
Në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, Ervis Maci për akuzën 'shpërdorim detyre'.
Policia informon se gjatë operacionit janë sekuestruar 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.
Njoftimi
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar "Kurtaj", ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.
Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.
Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.
Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.