Shikoni magazinën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës ku lulëzonin 4 mijë rrënjë kanabis - Kush është Bilal Hasa
Syri.net publikon videon e 'shtëpisë së barit' që ishte ngritur në bodrumin e magazinës në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa. Mësohet se godina ndodhet në një nga fshatrat e Peqinit. Operacioni u ndërmor më 19 mars dhe janë zbuluar 4 mijë rrënjë kanabisi.
Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia ndërsa nuk është gjetur as në banesën e tij apo në vendin e punës.
Më parë Hasa ka qenë në postin administrator i Njësisë Administrative Gjoçaj të Bashkisë Peqin.
Bilal Hasa nuk është një emër i panjohur.
Në 2020 kur ai mbante postin e Kryetarit të njësisë administrative Gjocaj në Peqin u konfliktua me disa persona në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Socialiste në Peqin, ditën kur u zhvilluan edhe zgjedhjet për kreun e ri të PS në këtë qark.
Shkaqet e këtij konflikti atëherë u tha se kishin nisur për shkak të procesit zgjedhor për kryesimin e PS në Peqin, ku u zgjodh Madrid Sula. Hasa kundërshtonte mënyrën e zgjedhjes. I pranishëm në këtë sherr ka qenë dhe Taulant Balla, atëherë sekretari i Përgjithshëm i socialistëve. Hasa atëherë u qëllua me sende të forta dhe shqelma nga persona të cilët dyshoheshin se njiheshin mes tyre.
Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme informoi sot pasdite se ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.