UEFA kërkon ndryshime në përdorimin e VAR-it, drejt shmangies së ndërhyrjeve ‘mikroskopike’

UEFA po përgatit një takim të rëndësishëm gjatë verës me përfaqësuesit e arbitrimit nga ligat kryesore europiane, me synimin për të rishikuar mënyrën e përdorimit të teknologjisë VAR, e cila ,sipas drejtuesve, është larguar nga qëllimi fillestar.

Në këtë samit do të marrin pjesë drejtuesit e arbitrimit nga Premier League, La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1. Qëllimi kryesor është rikthimi i VAR-it te thelbi i tij: ndërhyrje vetëm në raste të gabimeve të qarta dhe evidente.

Nisma është ndërmarrë nga Roberto Rosetti, i cili ka shprehur shqetësimin për drejtimin që ka marrë teknologjia. Sipas tij, futbolli nuk duhet të shkojë drejt ndërhyrjeve “mikroskopike”, që shpesh ndikojnë në rrjedhën e lojës dhe krijojnë konfuzion.

“Duhet të rikujtojmë pse u fut VAR-i. Në vendimet objektive është shumë i dobishëm, por në rastet interpretative gjithçka bëhet më e vështirë. Prandaj kemi folur gjithmonë për gabime të qarta dhe evidente,” ka theksuar Rosetti.

Aktualisht, përdorimi i VAR-it ndryshon ndjeshëm nga një kampionat në tjetrin. Premier League ka numrin më të ulët të ndërhyrjeve për ndeshje, ndërsa kampionate si Serie A dhe Ligue 1 regjistrojnë një frekuencë më të lartë. Edhe në UEFA Champions League, ndërhyrjet mbeten relativisht të shpeshta.

Një tjetër synim i UEFA-s është unifikimi i gjuhës teknike dhe kritereve të interpretimit, sidomos për raste të debatueshme si prekjet me dorë. Takimi pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt një standardi të përbashkët në gjithë Europën, duke e bërë VAR-in më të qartë dhe më të besueshëm për të gjithë.