Talenti i Bayernit merr ftesën e parë nga Gjermania gjatë orës së mësimit, Nagelsmann tregon prapaskenën
Një histori e veçantë vjen nga Gjermania, ku trajneri Julian Nagelsmann ka vendosur të thërrasë për herë të parë në ekipin kombëtar talentin 18-vjeçar të Bayernit të Mynihut, Lennart Karl.
I riu është shpërblyer për paraqitjet e shkëlqyera këtë sezon, por momenti i marrjes së lajmit ishte mjaft i pazakontë. Gjatë konferencës për shtypin, Nagelsmann tregoi se Karl nuk iu përgjigj menjëherë telefonatës, pasi ndodhej në një orë mësimi.
“Arrita të flas shpejt me të, por fillimisht nuk u përgjigj sepse ishte në mësim. Kjo më bëri të lumtur. Përndryshe do ta kisha qortuar nëse do të linte mësimin për të më marrë në telefon. Ajo që thotë mësuesi është më e rëndësishme,” u shpreh tekniku gjerman.
Sipas tij, lojtari kishte dy arsye për të festuar: përfundimin e mësimit dhe grumbullimin me kombëtaren.
Kjo thirrje shënon një hap të madh në karrierën e Karl, i cili vetëm pak muaj më parë ishte pjesë e ekipit U-21. Nagelsmann kishte zgjedhur ta mbronte nga presioni mediatik, por tani ka ardhur momenti i debutimit në nivelin më të lartë.
Sulmuesi i krahut shquhet për shpejtësinë, guximin dhe lojën e paparashikueshme, cilësi që trajneri beson se i mungojnë aktualisht Gjermanisë. Ai pritet të aktivizohet në krahun e djathtë, në rolin që ka edhe te Bayerni.
Në këtë sezon, Karl ka realizuar tetë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime, ndërsa ka hyrë në histori si golashënuesi më i ri gjerman në UEFA Champions League. Ai konsiderohet një nga talentët më premtues të futbollit europian dhe tashmë është gati të tregojë vlerat edhe me kombëtaren.