Natë dramatike për Galatasaray-n, Lang operohet urgjentisht, frakturë edhe për Osimhen-in
Një mbrëmje për t’u harruar për Galatasaray-n, që u përball me dy dëmtime serioze në sfidën e luajtur në ‘Anfield’, ndaj Liverpoolit.
Sulmuesi Noa Lang iu nënshtrua një operacioni gjatë natës në dorën e djathtë, pas një aksidenti të rëndë në fund të ndeshjes. Futbollisti u përplas me tabelat reklamuese pranë portës, duke pësuar një dëmtim të thellë dhe duke humbur shumë gjak në fushë. Ai u dërgua menjëherë në spital, ku ndërhyrja kirurgjikale u krye me sukses nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit turk janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërmarrjes së hapave ligjorë për incidentin, ndërsa nuk përjashtohet që edhe UEFA të hapë një hetim për ngjarjen.
Problemet për Galatasaray-n nuk u ndalën me kaq. Edhe sulmuesi tjetër, Victor Osimhen, pësoi një dëmtim serioz gjatë pjesës së parë të takimit. Ai mori një goditje në krah dhe nuk ishte në gjendje të rikthehej në fushë për pjesën e dytë.
Ekzaminimet mjekësore të kryera gjatë pushimit mes pjesëve ngritën dyshime për një frakturë, e cila më pas u konfirmua edhe në spital. Osimhen ka pësuar thyerje në parakrahun e djathtë dhe aktualisht mban allçi, ndërsa në ditët në vijim pritet të merret një vendim nëse do të jetë i nevojshëm operimi.
Kështu, kjo sfidë në “Anfield” la pasoja të rënda për skuadrën turke, që përveç rezultatit negativ, humbi përkohësisht edhe dy nga lojtarët më të rëndësishëm të saj.