‘Rama armiku i integrimit të Shqipërisë’, Balliu: Gjermania i di lidhjet e qeverisë me korrupsionin dhe krimin...
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili me një delegacion të PD po zhvillon një vizite zyrtare në Gjermani, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si "armikun e vetëm" të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, Balliu zbuloi detaje nga takimet me zyrtarë të lartë gjermanë, duke theksuar se ata janë të mirë informuar për situatën politike dhe krimin në Shqipëri, madje në disa raste "dinë më shumë se vetë opozita".
Gjatë takimeve në Berlin, përfshirë atë me anëtarin e Bundestagut dhe ish-këshilltarin e kancelares Merkel, Knut Abraham, deputeti demokrat tha se mësuam që pala gjermane ka njohuri të thelluara mbi lidhjet e qeverisë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. "Gjermania është e mirë informuar për realitetin ku është Shqipëria sot," deklaroi Balliu, duke shtuar se në disa çështje, zyrtarët gjermanë kishin më shumë informacion sesa delegacioni shqiptar.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë çështje specifike si afera e AKSHI-t dhe ajo e ish-ministres Belinda Balluku. Sipas deputetit, sistemi i drejtësisë po pengohet nga "vullneti i Edi Ramës" për të hetuar këto raste.
Deputeti demokrat përmendi gjithashtu incidentin e përjashtimit të tij dhe deputetit Tomor Alizoti nga delegacioni zyrtar parlamentar në Gjermani, një veprim që ai ia atribuoi një urdhri direkt nga Taulant Balla. Ky akt, sipas Balliut, dëshmon mungesën e pluralizmit dhe gatishmërisë së qeverisë për një proces normal politik, duke e paraqitur si një tjetër shembull të mentalitetit që po e mban Shqipërinë larg Bashkimit Evropian.
Arnold Kariqi: Demokratët, kanë zhvilluar takime intensive ditët e fundit me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, jo vetëm në selinë blu në Tiranë, por po ashtu edhe në Bruksel dhe Gjermani. Një nga deputetët në delgecionin e opozitës është edhe Klevis Balliu por përpara se të shkojmë tek ajo se çfarë ndodhi me zotin Peleshi, i cili gjatë vizitës zyrtare në Gjermani ju ka përjashtuar nga delegacioni, duke hequr qëllimisht emrat e dy përfaqësuesve, emrin tuaj dhe Tomor Alizotin. Pikë së pari do pyesja se si po shkojnë takimet atje, kë po takoni dhe problematikat që po ngrini sa i përket situatës në vend?
Klevis Balliu: Ne sapo mbaruam një takim me deputetin e Bundestagut, një njohës shumë i mirë i Shqipërisë, ish-këshilltar i kancelares Merkel, zotin Knut Abraham, me të cilin patëm një diskutim shumë të rëndësishëm. Ajo çka mund të them në lidhje me takimet që kemi zhvilluar, kanë qenë takime shumë të mira dhe ishte gjithashtu një lajm shumë pozitiv që Gjermania dhe e gjithë politika e tyre është e mirë informuar në lidhje me situatën në Shqipëri. Është e mirë informuar për realitetin ku është Shqipëria sot dhe pa diskutim ne patëm mundësi të informonim edhe më shumë në lidhje me çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, se si këto segmente janë, kanë një bashkëpunim të tërthortë me qeverinë, siç është rasti i AKSHI-t apo rasti i Belinda Ballukut. Dhe ajo çka patjetër ka qenë thelbësore ishte pengimi i sistemit të drejtësisë të ndërmarrë hapat e nevojshme në rastin e Belinda Ballukut, një pengim i cili erdhi nga vullneti i Edi Ramës. Gjithashtu është e rëndësishme të theksoj se në rastin e Ballukut, tani çështja Balluku-Rama, është një çështje realisht për jetë a vdekje, pasi dëshmitarët janë kërcënuar nga segmente dhe ushtarë të niveleve më të larta të krimit të organizuar dhe si rrjedhojë ajo patjetër kërcënon jetën e këtyre dëshmitarëve. Ne patëm mundësinë t'i informojmë për këtë çështje. Një lajm shumë pozitiv është, që politika e Gjermanisë është për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa diskutim duke plotësuar kushtet dhe kriteret që janë thelbësore, që janë lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, respektimi i gjykatave, siç është rasti i Gjykatës Kushtetuese.
Ne jemi i vetmi vend sot në rajon ku parlamenti nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu është për t'u përshëndetur politika e tyre që ata e kanë nisur të gjithë procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe sot janë mbështetësit më të fortë për këtë integrim. Por ata kërkojnë që ne të plotësojmë kushtet dhe kriteret. E vetmja pengesë që i kanë sot qytetarët shqiptarë për të qenë zyrtarisht anëtarë të Bashkimit Evropian, qytetarë evropianë me të drejta të plota, është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Sikur të shikohej qoftë edhe minimalisht vullneti i qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të luftuar krimin e organizuar, Shqipëria do të integrohej në mbledhjen më të parë për këtë çështje.
Arsyeja e vetme pse shqiptarët janë prapa sot, pse janë jashtë dyerve të Evropës, pse nuk gëzojnë të drejtat e bashkëqytetarëve të tyre evropianë, është një dhe e vetme, që është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ishte kënaqësi të takoje këta deputetë dhe njerëz të cilët ishin në mbështetje të aspiratave tona për integrimin në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ka vetëm një armik për këtë rrugë dhe qartazi është e qartë tanimë që është Edi Rama. Kjo nuk vihet re thjesht nga deklaratat e opozitës apo raporte në tërësi, por kjo vihet re nga aktet që ai ka ndërmarrë, siç ishte akti i fundit në lidhje me çështjen Rama-Balluku, ku qartazi në qoftë se afrohesh tek aferat dhe tek interesat e Edi Ramës, drejtësia nuk mund të hetojë.
Arnold Kariqi: Ishin të informuar zyrtarët e lartë gjermanë rreth situatës së Shqipërisë? E bëj këtë pyetje pasi shpeshherë edhe opozita ka ngritur zërin sa i përket situatës së vendit dhe mënyrës se si raportohet ajo nga ambasadat që ndodhen këtu në Tiranë, pasi jemi mësuar që ambasada në Tiranë t'i bëjnë shpeshherë lajka qeverisë. Ishin të informuar zyrtarët e lartë gjermanë rreth situatës së Shqipërisë që ju flisni deri në këto momente, pra kriminaliteti, pastrimi i parave, ndërhyrja në drejtësi, rasti i Ballukut i cili duket se ka patur një reagim unison të gjithë ambasadave kryesore në vend?
Klevis Balliu: Unë nuk kam mundësi të jap shumë detaje, por shkurtimisht mund t'ju them që në disa nga ato çështje që ju ngritët, ata kishin edhe më shumë informacion sesa ne. Pra, në këtë aspekt, Gjermania është një vend shumë i mirë informuar për realitetin në Shqipëri. Dhe ajo çka më jep shpresë dhe na duhet të na motivojë, është që ne kemi një mik shumë të fortë për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë proces dhe është pikërisht Gjermania e cila e kërkon dhe lufton për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, po pa diskutim kërkon që ne të plotësojmë kriteret dhe kushtet minimale që janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk mendoj që ka ndonjë njeri që pretendon se mund të integrohesh në qoftë se kemi një qeveri e cila ndihmon korrupsionin apo e mbron atë me votë në parlament. Shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk mund të jenë shtete ku parlamenti vendos mos të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në këtë aspekt është shumë pozitive që ne kemi një shtet kaq të fuqishëm sa Gjermania që na mbështet dhe është një fatkeqësi kombëtare që kemi një qeveri e cila për interesin e vet po bën kurban integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe praktikisht po e arrin me sukses…