Kurtaj: Armatosja e Serbisë kërcënon stabilitetin e Kosovës dhe rajonit

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe stërvitjeve ushtarake të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, të cilat kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar si provokim.

Blerjet masive të armatimeve nga Serbia, përfshirë ato nga Rusia dhe Kina, kanë shtuar shqetësimet për qëllimet e Beogradit në rajon. Në një intervistë për SYRI TV me moderator Arnold Kariqi, gazetari Isuf Kurtaj u shpreh se armatosja e Serbisë nuk është një fenomen i ri, por një proces që ka nisur prej vitesh. Sipas tij, Serbia ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake dhe buxhetin e mbrojtjes, duke modernizuar ushtrinë me blerje armësh nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.

Isuf Kurtaj: Sa i përket pyetjes tuaj për armatosjen e Serbisë, duhet kuptuar se armatosja e Serbisë ka filluar prej vitesh, ajo së fundmi ka rritur ndjeshëm kapacitetet ushtarake, është duke u munduar të bëjë modernizimin e ushtrisë. Ka bërë blerje armatimesh nga aktorë të ndryshëm në të gjithë botën, nga Rusia, nga Kina, ka rritur buxhetin për mbrojtjen dhe sigurisht që duke parë zhvillimet e ndryshme, mund të mendojmë se armatimi i Serbisë prej kaq vitesh është kërcënim për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera. Nuk mund të them që ky lloj kërcënimi nuk është për Kosovën në kuptimin e afatshkurtër, megjithëse zhvillimet e fundit na kanë bërë të mendojmë se frika ndaj vendeve si Serbia apo vendeve të tjera, por edhe për vendet e zhvilluara është shumë i madh. Duhet kuptuar se ne për momentin nuk mund të kemi frikë nga armatosja, nga armatimi i Serbisë, për shkak se në Kosovë ka një prani të madhe të KFOR-it dhe ata përbëjnë balancën e sigurisë në Kosovë. Në kuptimin më afat të mesëm, po, duhet të kemi frikë nga armatimi i Serbisë, për shkak se duke rritur numrin e armatimit, Serbia është një element kërcënues për Kosovën dhe për rajonin siç thashë edhe më lart. Rreziku kryesor nuk është një luftë klasike, por është destabilizimi i Kosovës, sidomos duke pasur parasysh situatën në veri, incidentet e ndodhura atje në mënyrë të vazhdueshme. Mund të them që armatimi i Serbisë e kërcënon në një farë forme stabilitetin e Kosovës.