Elbasan/ Gërryerjet në përroin e Paprit kërcënojnë urën që lidh 4 fshatra me pjesën tjetër të vendit

Gërryerjet pa kriter në përroin e Paprit kanë shkaktuar dëmtim të urës në zonë, e cila lidh të paktën katër fshatra të njësisë administrative Papër të Bashkisë Elbasan me pjesën tjetër të vendit.

Sipas banorëve të zonës, gërryerjet vijojnë prej tre muajsh tashmë, gjë që ka përshkallëzuar dëmtimin e përroit ndaj tokave bujqësore dhe urës.

Ndonëse ndër vite ky përro është njihet si i vrullshëm, sërish janë dhënë leje për marjen e inerteve në të.

Ata tregojnë se ndjehen të rrezikuar çdo herë që kalojnë mbi këtë urë, dhe se prishja e saj do t’i izolonte totalisht.

Banorët shprehen se shqetësimi kryesor do të jetë në rast sëmundjeje, pasi do të duhet të ecin në këmbë në anë të përroit nëse dëmtimet e bazamentit të urës përshkallëzohen. Lidhur me këtë shqetësim, banorët i janë drejtuar njësisë vendore, por deri më tani, sipas tyre, nuk është ndërhyrë në restaurimin e urës.

Leja për gërryerjen e shtratit të përroit është dhënë subjektit "2T" sh.p.k., për zbatimin e projektit "Ndërtim aksi rrugor Elbasan-Papër (Faza III)" sipas kontratës me ARRSH.

Pas kërkesave për masa të menjëhershme në urë dhe në rrugë, njësia administrative vendore ka dërguar shkresa në Bashkinë Elbasan dhe në institucionet përkatëse, ku është kërkuar vendosja e barrierave dhe pritave përgjatë zallit, por deri më tani duket se këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër.