Ja pse Perëndimi duhet të dyfishojë intensitetin e luftës me Iranin

THE SPECTATOR

Donald Trump mund të jetë udhëheqësi i paparashikueshëm i një koalicioni të paqëndrueshëm. Shumë ndërhyrje të Amerikës në Lindjen e Mesme mund të jenë shënuar nga kaosi, paqëndrueshmëria dhe dobësimi i prestigjit perëndimor. NATO, akomae më shumë Bashkimi Evropian, mund të jenë ushtarakisht të dobët dhe ekonomikisht të ngurtë. Dhe lufta në Iran mund të ketë intensifikuar frikën dhe ka shtuar presionin mbi aleancën Atlantike. Por kjo nuk do të thotë se tani është koha për të hequr dorë, për të tundur kokën dhe për të qarë mbi paaftësinë e luftës. Përkundrazi, kjo vetëm forcon nevojën për të përfunduar punën: për të çliruar Iranin nga sunduesit e tij, infrastruktura e regjimit, kapaciteti i tij bërthamor dhe makthi islamist që ka përjetuar për pothuajse pesë dekada.

Arsyet për këtë ndërhyrje mund të diskutohen, por ajo që nuk ka dyshim është roli i Iranit, gjatë dekadave, në përpjekjet për të destabilizuar fqinjët e tij, për të nxitur konflikte në të gjithë Lindjen e Mesme dhe për të siguruar armë bërthamore. Ai ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Hamasin, Hezbollahun, Huthitë, milicitë fundamentaliste në Irak dhe lëvizjet islamiste në çdo shtet të Gjirit. Agjentët e Iranit kanë kryer operacione sekrete, përfshirë vrasje, në Perëndim. Regjimi ka përdorur krimin e organizuar për të avancuar qëllimet e tij në vendet evropiane. Ka zhvilluar kapacitete kibernetike për të goditur demokracitë. Dhe ka përdorur çdo teknikë shmangie, mashtrimi dhe maskimi për të ndërtuar një arsenal bërthamor që, me kohën, mund ta përdorë me efekt shkatërrues kundër shtetit të vetëm hebre në botë.

Irani ka mbështetur pushtimin rus të Ukrainës me teknologjinë e tij të dronëve, ka mbështetur ekonominë e skllavërisë së Kinës me eksportet e tij të naftës dhe ka ushtruar dhunë brutale dhe të pa diskriminuar ndaj popullsisë së vet. Të drejtat e grave, homoseksualëve dhe pakicave etnike janë shtypur, ndërsa pushteti dhe pasuria janë përqendruar në duart e ideologëve dhe sadistëve profesionistë. Rrallë ka pasur një rast kaq të bindshëm për ndryshimin e regjimit. Nuk duhej të ishte surprizë që udhëheqësit e Iranit i kanë rezistuar sulmeve amerikane dhe izraelite. Këta janë burra të zhytur në gjak dhe të përkushtuar ndaj terrorit. Ata e dinin se çdo sulm fillestar do të mposhtte forcat e tyre konvencionale, prandaj kërkonin mbrojtje të thelluar. Strategjia ka qenë që të vendosin një kosto mbi çdo fqinj që mund të mbështesë veprimet kundër tyre dhe të përdorin gjeografinë e tensionuar të Ngushticës së Hormuzit për të imponuar një çmim të lartë ekonomik mbi Perëndimin. Regjimi shpreson që këto kosto dhe ai çmim mund të jenë një barrë tepër e rëndë për një Perëndim që ata e shohin si të pandreqshëm dhe dekadent. Tek e fundit, politikanët tanë janë të lidhur nga ciklet elektorale, vëmendja e tyre është e shkurtër dhe elektoratet të dobësuara ekonomikisht.

Regjimi mund të ketë të drejtë në këtë pikë. Aleatët e Amerikës në NATO po hezitojnë mbi përpjekjet për të rivendosur lirinë e navigimit – një interes kyç i Perëndimit. Trauma e ndërhyrjeve të kaluara ka nxitur rezistencë të fortë brenda elitës politike amerikane ndaj përdorimit të forcave tokësore. Liderët politikë evropianë, përfshirë kryeministrin tonë (britanik) kërkojnë popullaritet afatshkurtër duke i rezistuar asaj që e shohin si “aventurizëm” i Trump.

Por cilat do të ishin pasojat nëse kjo luftë lejohet të mbarojë me regjimin iranian ende në pushtet? Aleatët tanë në Gjirin Persik – nga Omani deri te Emiratet e Bashkuara dhe Arabia Saudite – do të mbeten duke reflektuar mbi paqëndrueshmërinë tonë. Ata do të përballen gjithashtu me një Iran të plagosur dhe të zemëruar, duke planifikuar hakmarrjen e tij. Teherani do të ketë një motiv të ri për të financuar proxy terroristë dhe teknologji raketash bërthamore, për të frikësuar dhe intimiduar fqinjët e vet. Rusia dhe Kina do të ndihen të konfirmuara në idenë se një Perëndim i dobësuar nuk ka as forcën dhe as qëndrueshmërinë për t’i rezistuar aventurizmit të tyre. Populli iranian do ta shohë demokracinë, për të cilën ëndërronte, teksa zhdukej përtej horizontit, dhe ata që nuk kanë qenë plotësisht besnikë ndaj regjimit, do të shtypen nën këmbë.

Por çfarë po ndodh me Perëndimin?

Ata që do të gëzonin për një skenar të tillë, do ishte e majta “post-koloniale”, e cila do të gëzonte për një kthesë epokale të fuqisë amerikane, dhe e djathta etno-nacionaliste, që zemërohet ndaj Izraelit, ndikimit hebre dhe “klasës Epstein”, e cila, sipas tyre, na zhyti në një katastrofë të kushtueshme dhe kundër-produktive. Këto janë forcat brenda shoqërisë perëndimore që përçmojnë vetë civilizimin perëndimor – liberal, të hapur, kapitalist, kreativ, judeo-kristian dhe të sigurt. Këta njerëz do të ndiheshin të fuqizuar në drejtimin e tyre drejt identitarizmit, ndarjes dhe armiqësisë komunitare.

Fitorja në Iran, përkundrazi, do t’i jepte këtij vendi mundësinë të tregonte botës se çfarë mund të arrijë një shoqëri e lirë, e suksesshme, post-islamiste, por me shumicë myslimane. Ajo do të  çlironte talentet, zërat dhe ndërgjegjet e miliona njerëzve. Do të forconte stabilitetin dhe prosperitetin e fuqive të Gjirit dhe orientimin e tyre drejt Perëndimit, me udhëheqjen e vendeve si Emiratet e Bashkuara të Arabisë në krye. Do të lironte Izraelin nga kërcënimi ekzistencial dhe do të mundësonte një marrëveshje me fqinjët palestinezë dhe mbështetje perëndimore për këtë qëllim. Do të riafirmonte aftësinë e Perëndimit për të siguruar objektivat strategjike përmes përdorimit të bashkuar të forcës ushtarake dhe kështu do të forconte mbrojtjen e Ukrainës dhe sigurinë e Tajvanit. Do të vendoste kontrollin e naftës dhe gazit në duart e aleatëve perëndimorë për të kundërshtuar avantazhet e mëdha ekonomike që ka krijuar Kina.

Fitorja nuk është e lehtë dhe as e sigurt. Ajo kërkon një angazhim kohor, trupa dhe durimin që deri tani nuk është artikuluar. Por nëse ky angazhim nuk ndërmerret, çmimi do të jetë shumë më i lartë sesa çfarë mund të përballojmë javët e ardhshme. Ne mund ta përfundojmë punën në Iran, ose ai do ta përfundojë punën me ne.